Pep Guardiola kudo që ka shkuar ka implementuar stilin e tij të lojës. Një “Tiki-Taka” e përshtatur sipas profilit të lojtarëve të skuadrave.Të shumtë janë ata që shprehen se ajo çka bën ai është e lehtë, pasi merr vetëm ekipe të kompletuara. Por Guardiola ka ditur gjithmonë t’i shndërrojë ekipet e tij në “përbindësha”.
Nga çdo lojtar, qoftë edhe nivel mesatar ai ka marrë më të mirën. Në ekipet e tij vetëm një njeri ka arritur të ngrejë krye dhe të dallohet mbi të tjerët, Leo Mesi. Në të gjitha rastet e tjera Pep ka krijuar skuadra, që bazohen në forcën e grupit dhe të gjithë janë aftë të shënojnë sa njëri-tjetri. E ka bërë këtë te Bajerni dhe po e bën tani te Mançester Siti.
Marselo Bielsa ka folur mbi këtë aftësi të trajnerit spanjoll dhe e ngre në qiell me deklaratën e tij. Trajneri i mirënjohur argjentinas ndihet injorant përpara një gjeniu si Guardiola. Ai shpjegon se është shumë e vështurë të kopjosh stilin e Pep edhe pse në pamje të parë të duket e lehtë.
“Argumenti im për të shpjeguar madhështinë e Guardiolës është se bukuria e lojës së ekipeve të tij nuk mund të kopjohet. Sigurisht që lojtarët e Barcelonës, Bajernit dhe Sitit janë shumë të mirë. Por aftësia e këtij trajneri për të futur stilin e tij në mendjet e tyre është më e rëndësishme se cilësia e lojtarëve.”
“Kur shoh ndeshjet e Mançester Sitit ndiej brenda meje se jam injorant. Sheh që dhjetë lojtarë lëvizin rrufeshëm topin për të gjetur hapësirën. E shikon dhe përpiqesh ta kuptosh dhe ta kopjosh, por nuk mund t’ja arrish qëllimit. I bën shumë pyetje vetes, por kurrë nuk e gjen një përgjigje sesi ekipet e Guardiolës e gjejnë gjithmonë një zgjidhje në momentet e vështira”, përfundoi Bielsa, që aktualisht drejton Lids Junajtid në Championship.