Reali i Madridit është gati të zyrtarizojë afrimin e madh të verës dhe emri nuk është një surprizë. Prej kohësh ka qenë dëshira e Zinedin Zidan dhe presidenti Florentino Perez e ka bërë gati dhuratën. Eden Hazard luan me Çelsin ndeshjen e fundit më 29 maj.
Belgu do tentojë ta mbyllë me trofeun e Europa League dhe të përshëndetet në mënyrën më të mirë të tifozëve londinezë. Sipas asaj që raporton “L’Equipe” (në Spanjë e kanë paralajmëruar prej kohësh në fakt), Reali do paguajë 100 milionë euro për kartonin e tij.
Hazard kishte edhe një vit kontratë me Çelsin, klub që ka vendosur ta shesë sulmuesin. “Blutë” e Londrës nuk ka dashur ta humbin me parametro zero dhe klubet që kanë një marrëdhënie të mirë mes tyre duket se kanë arritur marrëveshjen dhe shumë shpejt pritet të vijë edhe zyrtarizimi.
DEKLARATA E HAZARD – Sinjalin e largimit e ka dhënë vetë Hazard, i cili ka folur për mediat pas ndeshjes me Lester në kampionat: “E kam marrë vendimin tim, që nuk ka lidhje vetëm me mua. Ia kam bërë të qartë klubit përpara disa javësh. Dëshiroja që kjo gjë të sqarohej më herët, por nuk ndodhi. Po pres, ashtu siç po presin edhe tifozët”.
Belgu thekson se zërat e merkatos nuk e kanë shpërqendruar kurrë atë dhe dëshiron të japë maksimumin deri në ditën e fundit që do të jetë pjesë e bluve. “Merkato nuk më ka shpërqendruar kurrë. Kemi finalen e Europa League për të luajtur. Kur je në fushë mendon vetëm për topin dhe për të dhënë më të mirën. Unë përpiqem të fitoj ndeshjet dhe nuk e lodh trurin me gjëra të tjera”, u shpreh Hazard.