Luis Suarez kthehet në Anfield, si kundërshtar, dhe ndoshta shumë tifozë do ta presin keq. Nuk është armik, përkundrazi, por goli i festuar si i çmendur në Barcelonë dhe grindjet me disa lojtarë të Liverpulit kanë nervozuar shumë tifozë të The Reds.
Megjithatë, sulmuesi uruguaian pret që tifozët ta duartrokasin, të paktën shumica e tyre: “Për atë që i kam dhe këtij klubi, mendoj se shumica e tifozëve do më duartrokasin. Kush ndihet mirë nëse më fishkëllen, nuk ka problem. Unë i jam mirënjohës këtij klubi, mendoj se kam dhënë kontribut për ta kthyer në Champions League dhe kam kujtime të shkëlqyera këtu.
“Në Liverpul ka lindur një nga fëmijët e mi, aty ka shkelur për herë të parë në një stadium dhe kaq mjafton”.
Suarez shpjegon arsyen e festimit: “Kemi vuajtur shumë, eliminimi i vjetshëm na dhemb ende. Nuk ishte një festim kundër Liverpulit, por për rëndësinë e një goli që kishte vlerë të madhe. Nuk shënoj prej 3 vitesh jashtë fushe në Champions, por nëse shënoj në Anfield, nuk do të festoj. Kam respekt maksimal për Liverpulin dhe ashtu si bëra me Ajaksin në një ndeshje në Groningen, nuk do të festoj as në Liverpul”.