Ali Soue ishte një goditje e Skënderbeut në merkato. Sulmuesi nga Gambia, i cili u mor nga korçarët në huazim prej Kievos, arriti që brenda një sezoni të fitonte Kupën e kampionatin me bardhekuqtë. Gjithashtu ai u shpall edhe golashënuesi më i mirë në Superiore, me 21 gola të realizuar.
Skënderbeu nuk mund të paguante 200 mijë euro për kartonin e tij dhe sulmuesi u rikthye te Kievo. Klubi italian e huazoi te CSKA Sofia në Bullgari, klub që e ka blerë kartonin e Soue. Ai po ia shpërblen edhe me gola ekipit të tij.
Ditën e sotme ai ka shënuar golin e 11-të në kampionat (realizoi golin e tretë në fitoren 1-3 që CSKA mori në transfertë kundër Çerno More) dhe është shënuesi më i mirë në skuadrën e tij. Soue në fillim nuk po luante rregullisht si titullar. Nëse do kishte pasur më shumë minuta, atëherë edhe golat do kishin qenë më të shumtë.