Edhe pse duhen edhe katër javë që të mbyllet Kampionati i Kategorisë së Parë, skuadra e Tomorit po kalon një situatë të vështirë. Beratasit duhet të përballojë edhe largimet e futbollistëve, veç situatës së vështirë në klasifikim.
Dy të larguarit e radhës janë mbrojtësi Oliver Dore dhe sulmuesi Elhan Galica, futbollistë të cilët u afruan në merkaton e janarit. Sulmuesi shkodran thuhet se e ka mbyllur me marrëveshje bashkëpunimin me drejtuesit e Tomorit.
Ndryshe është situata me afrikanin e marrë nga Besëlidhja. Dore pretendon se nuk është paguar në katër muaj, ndaj edhe është larguar. Ndaj lojtarit në fjalë ka shumë pakënaqësi në lidhje me paraqitjet e bëra.
Nga burime pranë klubit beratasit thuhet se Dore nuk ka qenë pjesë e takimit që futbollistët kanë bërë me trajnerin Santialiano Dule. Lojtari nuk është në dijeni të marrëveshjes së bërë për pagat, ndërkohë që raportohet se ka munguar disa herë në stërvitje. Me shumë mundësi ndaj tij janë vendosur edhe gjoba.