Pierpaolo Marino punoi për pesë vite si drejtori i përgjithshëm i Napolit. Ai solli në ekip emra si Marek Hamshik, Ezekiel Laveci, por jo vetëm. Klubi po bën maksimumin për të siguruar shërbimet e Hirving Lozanos, lojtarit të PSV-së. 23-vjeçari është i preferuari i trajnerit Ançeloti dhe palët janë shumë afër arritjes së akordit.
Në një prononcim për “Radio Kiss Kiss”, Marino komenton cilësitë e Lozanos, i cili bën mirë të gjitha rolet e raportit ofensiv. Meksikani kujton një emër si Laveci, i cili ishte një idhull absolut në “San Paolo”.
“Lozano është një futbollist i madh, i përshtatshëm për një stadium si ‘San Paolo’. Të njëjtën gjë thoja edhe për Lavecin. Janë futbollistë që driblojnë kundërshtarin dhe përfaqësojnë esencën e futbollit. Kjo gjë ju pëlqen napolitanëve dhe ky është shkaku pse tifozët shkojnë në stadium. Meksikani mund ta bëjë skuadrën që të luajë lart, duke e mbajtur në panik ekipin kundërshtar”, përfundoi Pierpaolo Marino.