Më 22 e 25 mars kombëtarja jonë do të luajë dy ndeshjet e para eliminatore të Europianit 2020. Turqia dhe Andorra janë kundështarët, ndërkohë sot janë zbuluar edhe emrat e 24 futbollistëve që trajneri Kristian Panuçi do të ketë të gatshëm për këto sfida.
Nisur nga emrat që italiani ka renditur si të përzgjedhur, për SportEkspres.com ish-portieri e kapiteni i Kombëtares sonë Perlat Musta, deklaron se ato janë zgjedhjet e trajnerit. Sipas tij, llogaritë duhet të bëhen vetëm me mendimin se Shqipërisë i duhen pikët.
“Çdo listë është vendimmarrje trajnerit dhe unë nuk e komentoj. Duke qenë Alban Hoxha në listë, ndjehem mirë. Me këta futbollistë duhet menduar se Shqipërisë i duhen pikët dhe jo emrat që vijnë e ikin. Turqia dhe Andorra janë dy sfida të vështira dhe mendoj se janë të gjitha mundësitë që në dy ndeshjet e para kombëtarja të grumbullojë 4 ose 6 pikë. Uroj që Sadiku të jetë në formën e tij më të mirë për të shënuar”, deklaroi legjenda e Partizanit dhe e kombëtares sonë, Perlat Musta.
AGRON KAJA