Karl-Hainz Rumenige është i qartë: “Hames Rodrigez është lojtar i kalibrit botëror”. Ai hedh poshtë zërat se Bajerni i Mynihut ka hequr dorë prej tij dhe thekson se është tifoz personal i kolumbianit. Veç kësaj, drejtori ekzekutiv i Bajernit, thekson se nuk ka asnjë problem me trajnerin Niko Kovaç. Në intervistën e tij për “Abendzeitung”, Rumenige flet edhe për përfshirjen e Oliver Kahn në Bordin Ekzekutiv, si dhe mundësinë e një rikthimi të Bastian Shvajnstajger në kampin bavarez.
E ARDHMJA E KOLUMBIANIT – “Jam një tifoz i Hames. Ai ka një të majtë fantastike dhe për mua është një yll. Opsioni për ta blerë është i vlefshëm deri më 15 qershor, ndaj them se kemi mjaftueshëm kohë. Më duhet të sqaroj se të gjithë janë të kënaqur me të. Besoj fuqimisht se Hames do të luajë edhe sezonin e ardhshëm për Bajernin. Jam i sigurt që edhe Niko Kovaç e shikon kualitetin e Hames në të njëjtën mënyrë si unë dhe tani është gjithashtu shumë i lumtur me të. Nuk besoj se ata të dy kanë probleme mes tyre”.
BORDI EKZEKUTIV – “Oliver Kahn i ka mundësitë për të bërë me sukses këtë punë. Jam i sigurt për këtë. Ai ka gjithçka që duhet për atë punë. Ka luajtur futboll në nivele të larta dhe gëzon respektin e tifozëve. Gjithashtu ka përfituar njohuri në aspektin financiar dhe ekonomik pas përfundimit të studimeve. Pasardhësi im do të duhet të jetë në klub për një kohë të caktuar. Kjo është e rëndësishme dhe e nevojshme. Nëse bordi i jep besimin Olit, jam i përgatitur ta integroj dhe të bashkëpunoj me të, derisa t’ia dorëzoj ‘shkopin’ atij. Detajet dhe koha e saktë duhet të vendosen”.
SHVAJNSHTAJGER – “Bajerni është gjithmonë i interesuar të sjellë në klub lojtarë të rëndësishëm që janë formuar këtu. Për shembull, do doja që Bastian Shvajnshtajger të ishte me ne. Nuk e di nëse ai do të kthehet ndonjëherë në Mynih. Për mua ishte një nga momentet më emocionuese kur ai bëri xhiron rreth fushës në ndeshjen e tij të lamtumirës. Mendova me vete: sjellja e tij, që gjithmonë ka qenë jashtëzakonisht serioze, u pagua. Flas shpesh me të në telefon dhe ia kam thënë që duhet ta mendojë nëse është një opsion tërheqës për të rikthimi këtu”.