CAS një ditë më parë ka publikuar listën e seancave dëgjimore dhe nuk figuron që UEFA dhe Skënderbeu të kenë përballjen e tyre të parë deri më 31 maj. Nisur nga kjo, shanset e korçarëve për të marrë pjesë në kupat e Europës këtë verë, janë të vogla.
Klubi korçar ka dalë me një reagim dhe sipas tyre seanca dëgjimore në CAS do të bëhet më 16 prill 2019. Se kush gënjen, nuk mund të themi. Në faqen zyrtare të CAS nuk ka asnjë njoftim dhe mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë.
KOMUNIKATA E SKËNDERBEUT – Sqarim publik: Klubi i Futbollit “Skënderbeu” është i detyruar të sqarojë të gjithë dashamirësit e ekipit dhe ata që duan të dinë më shumë për vendimin që ne presim nga CAS-i. Të gjitha ato që fliten së fundi në ambientet futbolldashëse, në mediat e shkruara dhe elektronike, por edhe në të gjitha rrjetet sociale janë vetëm thashetheme dhe asgjë më shumë se kaq.
Jemi mësuar prej shumë kohësh me këto thashetheme dhe ne u themi të gjithë tifozëve që të qëndrojnë me “këmbë në tokë”. Të vetmet sqarime zyrtare dhe reale mund t’i gjeni vetëm në faqen tonë.
Ju njoftojmë se Seanca Dëgjimore në CAS do të jetë në datën 16 prill 2019 dhe sigurisht do të presim të qetë këtë ditë dhe bashkë me të edhe vendimin zyrtar. Jemi të qetë dhe të bindur që ne do të dalim fitimtarë në fund, por na vjen keq për thashethemet e fundit dhe ishim të detyruar për këtë sqarim. Faleminderit për mirëkuptimin!