Ole Gunar Solskjaer mund të quhej njeri me fat para dy muajsh, kur e gjeti veten në stolin e Mançester Junajtid dhe lojtarët, ndoshta të çliruar nga Zhoze Murinjo, nisën të zbaviteshin.
Megjithtë, kur kanë kaluar muaj të tërë dhe ecuria nuk ndryshon, ritmi është i shkëlqyer dhe arrin të fitosh edhe në Paris, duke u bërë ekipi i parë në historinë e Champions League që përmbys humbje me 2 gola avantazh nga ndeshja e parë në shtëpi, atëherë Solskjaer është një magjistar.
Nxënësi i Aleks Ferguson diçka e ka mësuar dhe ashtu si në 1999, kur në shtesë mposhti Bajernin e Mynihut, sot fundosi PSG-në. Ishte një kryevepër e pamundur, sepse Junajtid ishte i sakatuar, me mungesa pa fund para ndeshjes dhe me dëmtime gjatë saj, aq sa në fund debutoi edhe një 17-vjeçar.
1- Paris are the first team in the history of the Champions League to be eliminated despite a 2-0 away win in the first leg. Unbelievable. #PSGMUN pic.twitter.com/H8CdFRQo20
— OptaJean (@OptaJean) March 6, 2019
Penalltia në shtesë ishte një dhuratë, këtë zor se e mohon ndonjë anglez, por nga ana tjetër kur ke qëndruar në lojë për 180 minuta, kundër çdo parashikimi, ndaj një rivali dukshëm superior, ndoshta edhe fati të ndihmon. Edhe gabimin e madh në formacion, duke hedhur në fushë Beili, i cili ishte krejtësisht jashtë loje, Solskjaer e korrigjoi që në pjesën e parë, duke e zëvendësuar qendërmbrojtësin me portugezin Dalot.
Nëntë fitore në po aq transferta që kur ka marrë drejtimin e Djajve të Kuq, Solskjaer është njeriu i rekordeve, magjistari i ftohtë që po ndez Mançesterin.