VIDEO | Derbi i Londrës pa fitues, Loris “heroi” i Totenhemit

Derbi i Londrës veriore nuk ka dhuruar asnjë fitues. Totenhemi dhe Arsenali janë ndarë në barazim 1-1. “Topçinjtë” kaluan në avantazh me anë të Aron Ramsejt në pjesën e parë, ndërsa Herri Kejn barazoi sfidën 16 minuta përpara fundit të ndeshjes.

Arsenali zhvilloi një kundërsulm fantastik në minutën e 16-të, duke shfrytëzuar dhe gabimin e një lojtari vendas. I gjithë Totenhemi ishte hedhur në sulm, Lakazet dhuroi një asist për Ramsejn, i cili u nis nga gjysmëfusha e tij, dribloi portierin Loris dhe kaloi miqtë në avantazh.

Kejn gjeti golin pas 8 minutash, por sulmuesi i Totenhemit ishte në pozicion jashtë loje dhe rezultati nuk ndryshoi. Minutat e fundit të pjesës së parë ishin emocionuese. Të dy ekipet humbën raste të pastra dhe shkuan në dhomat e zhveshjes dhe rezultatin 0-1.

Totenhemi rriti presionin në pjesën e dytë dhe arritën të barazojnë rezultatin në minutën e 74-t. Shkodran Mustafi shtyu Kejnin dhe penallti për vendasit. Bomberi nuk gaboi nga pika e bardhë dhe dërgoi në festë tifozët e “Spurs”.

Arsenali pati një mundësi të artë në minutat shtesë. Sançez kreu një ndërhyrje të gabuar në zonë, por Pierr-Emerik Obamejang nuk arriti të mposhtë Hugo Lorisin nga pika e penalltisë. Miqtë e mbyllën ndeshjen me një lojtar më pak pas ndëshkimit me karton të kuq të Toreirës në minutë e gjashtë shtesë. Në fund nga një pikë për të dy ekipet. Totenhemi vazhdon të qëndrojë në vendin e tretë me 61 pikë, ndërsa Arsenali renditet një pozicion më poshtë me katër pikë më pak.

Totenhem-Arsenal 1-1
(Kejn (pen) 74’ / Ramsej 16’)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *