Napoli do të presë nesër në mbrëmje Juventusin në “San Paolo”, në një nga ndeshjet më të bukura të viteve të fundit në Serie A. Ekipi i Ançelotit do të tentojë fitoren kundër kryesuesve për të dërguar në dhjetë pikë diferencën me ta, por jo vetëm.
Aurelio De Laurentis ka komentuar duelin e fortë për “Corriere dello Sport”. Presidenti i Napolit vlerëson rikthimin e dy klubeve në nivele të larta pas problemeve të hasura në të kaluarën dhe sot do i kishte zili dhe çdo kampionat i Europës dy skuadra si Napoli dhe Juventusi.
Kreu i klubit napolitan ndalet dhe te trajneri Ançeloti. Ai nuk kursehet kurrë për t’i thurur elozhe Karletos dhe zbulon cilësitë e tij më të mira. Trajneri e ka shprehur gjithmonë dëshirën e tij për të qëndruar gjithmonë në stolin e Napolit dhe kjo do të ishte dhurata më e bukur që mund t’i bëhej De Laurentisit.
Në fund dy dëshirat e mëdha të merkatos: Lozano i PSV dhe Fornals i Vijarealit. I pari është 23 vjeç dhe bën mirë të gjitha rolet e repartit ofensiv. Po 23 vjeç është dhe spanjolli, i cili aktivizohet në rolin e mesfushorit të avancuar, por bën mirë dhe krahët e mesfushës.
JUVENTUSI – ‘Kjo është sfida e sfidave në dhjetë vitet e fundit. Napoli dhe Juventusi kanë arritur të ‘ringjallen’ pas trazirave të së shkuarës si: falimentimi ynë dhe Calciopoli i bardhezinjve. Këto ekipe mund të konsiderohen si dy mbretëresha të Europës për t’u patur zili dhe nga shtete të tjera.”
ANÇELOTI – “Më befason pa masë qetësia e tij, por kryesisht aftësia për të riprodhuar vetveten në çdo cep të Europës, diçka që nuk i përket gjithkujt. Shumë trajnerë nuk arrijnë të marrin rezultate në vende të ndryshme, ndërsa Karleto është gjithmonë i njëjti. Të ofron perceptimin sikur është gjithmonë i gjallë, edhe në mungesë të rezultateve. Qetësia e tij është ngjitëse, ai është shumë i përfshirë dhe kërkues. Mbi të gjitha ka dhe një staf të jashtëzakonshëm.”
E ARDHMJA – “Ançeloti gjithë jetën trajneri i Napolit? Do të më bënte dhuratën më të bukur të ekzistencës time dhe do të më lejonte të shkoja më shumë në Los Anxhelos për të realizuar atë që nuk kam mundur të bëj në 15 vitet e fundit. Kam dëshirë të them dhe do e them, pavarësisht kritikave që mund të marr: sa qindra milionë dollarë kam humbur në tre dekadat e fundit?”
MERKATO – “Është e vërtetë që më pëlqejnë shumë Lozano dhe Fornals, por kjo nuk mjafton. Çdo vit vijnë aktorë të rinj, të cilët nuk kishin fare vëmendje kohë më parë. Ne jemi pjesë e lojës, pavarësisht se agjentët i komplikojnë më shumë disa situata që duken shumë të thjeshta.”
ALEGRI – “I heq kapelen për atë që ka bërë dhe për trofetë që ka fituar. Nuk e di nëse ka ndonjë të përbashkët me Ançelotin, pasi ndryshojnë nga mënyra e të shprehurit të futbollit. Me Karlon zbavitesh më shumë, ndërsa Alegri më duket i fiksuar pas arritjes së rezultatit.”