Ekipi i Liverpulit po bën maksimumin për të fituar titullin kampion dhe për të rikthyer trofeun më të rëndësishëm pas 29 vitesh në qytet. “The Reds” renditen në vend të parë me 66 pikë, një më shumë se Siti ndjekës dhe gjashtë më shumë se Totenhemi i vendit të tretë.
Kontingjenti i lojtarëve të trajnerit Klop është shumë i mirë dhe në të nuk mungojnë futbollistë nga vende të ndryshme. Por, ka vetëm një problem. Në ekip mungon një… francez!
Duke parë skuadrat që kanë fituar titullin në mijëvjeçarin e ri, të gjitha kanë patur minimalisht nga një francez në ekip. E nisim me Arsenalin. “Topçinjtë” u shpallën kampionë në vitin 2001 dhe 2003 nën drejtimin e trajnerit francez, Arsen Venger. “Ylli” në fushë ishte një tjetër francez: Tieri Henri. Gjithashtu Pires, Vieira, Viltord, Klishi dhe Anelka luajtën rol të rëndësishëm.
Mançester Junajtid ka fituar 7 herë titullin në mijëvjeçarin e ri. Në fillim në ekip ishin francezët Bartez dhe Blank, ndërsa më pas erdhën Silvestre, Zaha dhe Evra. Ky i fundit fitoi pesë tituj kampionë me ekipin e Sër Aleks Ferguson dhe është shpallur futbollisti francez më i mirë i historisë së Premier Ligës.
Radhën e ka Çelsi. Zhoze Murinjo nuk mund të bënte dot pa Makelelen dhe Galas, ndërsa Kante ishte njeriu kyç i ekipit të Antonio Kontes. “Blutë e Londrës” kanë fituar pesë herë titullin në këto vite dhe meritë kanë dhe francezët e tjerë si: Maluda, Remi dhe Zouma.
Mançester Siti u rikthye te titulli pas shumë kohësh, duke triumfuar mes drithërimave në vitin 2012. Klishi dhe Nasri ishin francezët protagonistë, ndërsa te titulli i fundit vlen të përmendet kontributi i Laporte, Mendi dhe Mangala.
Në fund Leister Siti. “Dhelprat” realizuan një mrekulli në vitin 2016. Më Ranierin në stol klubi i vogël anglez zhvilloi një sezon të pabesueshëm dhe në maj festuan titullin kampion. Francezët? Nuk kishte shumë, por ishte dikush që mjaftonte për të gjithë: N’golo Kante. Mesfushori është fenomanel në rikuperimin e topave dhe gjatë atij viti, ai zhvilloi një sezon të mrekullueshëm në aspektin personal.