Superiorja numëron 115 ndeshje të zhvilluara deri më tani. Skuadrat e elitës po bëhen gati të zhvillojnë takimet e javës së 24-të, ndërkohë që ajo që vihet re në këtë kampionat është fakti që të gjitha skuadrat e kanë të pamundur të bëjnë pa të huajt.
SportEkspres.com, në një vëzhgim të bërë në të gjitha ndeshjet e bëra deri më tani, vë re se vetëm në 15 minuta ka pasur një ekip që në fushë i ka pasur të gjithë futbollistët shqiptar. Ka ndodhur me skuadrën e Laçit në javën e parë të kampionatit, në takimin me Kukësin që përfundoi në barazim 1-1.
Kurbinasit zbrisnin në fushë me vetëm një të huaj, mesfushorin Nikola Eller. Shtatshkurti u aktivizua deri në minutën e 75-të, kur ish-trajneri Artan Mërgjyshi hodhi në fushë Erisildo Smaçin. Nga ai moment Laçi ishte në fushë një skuadër “100% shqiptare”.