Puna e Roberto Mançinit ka filluar të japë fryte dhe Italia po rritet gradualisht. Trajneri i kombëtares po beson te lojtarët e rinj dhe ka një plan të qartë për të ardhmen. Në prononcimin e dhënë për “TikiTaka”, Mançini prek shumë tema, duke nisur me Zaniolon e Romës dhe Balotelin e Marsejës.
“Super Mario” është rikthyer të shënojë dhe trajneri e monitoron atë në çdo moment. Juventusi do të hasë vështirësi për të kthyer rezultatin 0-2 kundër Atletikos, por trajneri ka një këshillë për djemtë e Alegrit.
Ai analizon dhe ekipin e Simeones, që ka marrë identitetin e argjentinasit, ndërsa komenton dhe ecurinë e Milanit të Gatuzos. Në fund Donaruma dhe Ikardi. I pari ka rigjetur qetësinë dhe formën fantastike, ndërsa i dyti po vuan. Roberto Mançini ishte trajneri që e zgjodhi kapiten tek Interi dhe pranon se nuk ka patur kurrë probleme me Mauron.
ZANIOLO – “Kombëtarja ka nevoje dhe për pak kohë për t’u kthyer për të fituar dhe ëndërruar, por jemi në rrugën e duhur. Ka një brez lojtarësh të rinj, të cilët duhet të luajnë dhe të krijojnë eksperiencë. Zaniolo? Di Françesko e njeh mirë, e sheh çdo ditë nga afër dhe e di se ku mund të luajë. Ai është një lojtar i aftë dhe po i shkon gjithçka vaj për momentin. Unë e shoh si një “mezzala”. E kam ndjekur në Europianin U19. Nuk e dija që ishte një lojtar i Interit, pasi ai po përgatitej të kalonte te Roma.”
BALOTELI – “Marion e ndjek gjithmonë, por dhe gjithë të tjerët. Ai e ka nisur mirë aventurën me Marsejën, ku ka shënuar 3 gola në katër ndeshje. Objektivi ynë është të formojmë një skuadër të gatshme për të bërë mirë në Euro 2020. Italia duhet të marrë pjesë gjithmonë për të fituar.”
JUVENTUSI-RONALDO – “Bardhezinjtë nuk duhet të zbresin në fushe me mendimin që duhet të shënojnë tre gola. Ata duhet të përqendrohen në shënimin e golit të parë dhe pastaj të shohim se çfarë do të ndodhë… Alegri ka një ekip ekspert, sezonin e kaluar i shënuan tre gola Realit në Spanjë dhe mund t’ia dalin dhe kundër Atletikos. CR7? Në Champions nuk po arrin të bëjë atë që ka bërë në të kaluarën, ndërsa në kampionat po arrin të shënojë gola. Në Itali është më vështirë, sepse në Spanjë ai luante me ekipin më të mirë në botë. Gjithsesi, ai po bën një sezon pozitiv.”
SIMEONE – “Diego ka qenë gjithmonë një futbollist me karakter të fortë. Ai i ka dhënë Atletikos identitetin e tij dhe është shumë e vështirë të luash kundër tyre. Në ndeshjet shtëpiake ata bëhen të bezdisshëm në situata të caktuara. Janë një ekip me karakter, ashtu siç ishte dhe vetë Diego si lojtar. Gjesti i tij te goli i Himenez? Janë gjëra që ndodhin dhe do të ndodhin dhe në të ardhmen. Ai bëri një gjest të keq dhe e di mirë këtë gjë.”
MILANI – “Kuqezinjtë janë një ekip me lojtarë shumë të mirë, sidomos dy blerjet e janarit. Gatuzo po ndërton një skuadër të mirë, por ka nevojë për kohë. Ai e njeh mirë futbollin. Nuk e di nëse ka dashur të bëhet trajner kur luante, por e njeh shumë mirë futbollin.”
DONARUMA – “Xhixho është një djalë i ri dhe po fiton përvojë, pavarësisht shumë ndeshjeve që ka zhvilluar në Serie A. Në kombëtare është paraqitur gjithmonë mirë, por ne nuk vuajmë në aspektin e portierëve. Përveç tij kemi dhe Sirigunë, Perinin dhe Meret.”
IKARDI – “Unë nuk kam patur kurrë probleme me të. AI ishte një futbollist kyç për mua dhe mund të ishte i rëndësishëm për historinë e Interit. Mua më duhej të zgjidhja një kapiten dhe zgjodha Mauron.”