Tashmë është bërë zakon që hajdutët të grabisin shtëpitë e futbollistëve, kur këta të fundit ndodhen në fushën e blertë duke luajtur ndeshjen e radhës. Kështu i ka ndodhur dhe sulmuesit të Liverpulit, Sadio Mane.
Senegalezi ka qenë duke luftuar në fushën e blertë përballë mbrojtësve gjermanë të martën, ndërsa grabitësit kanë përfituar nga një gjë e tillë. Siç raporton “The Sun”, të martën në mbrëmje, vila e afrikanit është “pushtuar” nga vizitorë të paftuar, ndërkohë që Liverpuli po përballej me Bajernin e Mynihut.
Ata kanë arritur të marrin sende me vlerë, disa çelësa të makinave të lojtarit, telefona celularë dhe ora të ndryshme me një vlerë tepër të lartë. Fil Mahon, një detektiv i policisë së Liverpulit, ka folur rreth kësaj çështje, duke kërkuar ndihmë nga komuniteti, por dhe vetë hajdutët.
“I kërkojmë çdokujt që ka informacion në lidhje me këtë vjedhje që të vijë në komisariat dhe të na ndihmojë në hetimet tona. U kërkoj hajdutëve që të bëjnë gjënë e duhur dhe t’i rikthejnë sendet e vjedhura pronarit. E dimë vlerën e madhe monetare të orëve të vjedhura”, thekson Mahon.
Kjo nuk është hera e parë që senegalezit i ndodh diçka e tillë. Shtëpia e tij ra pre e hajdutëve dhe në nëntor të vitit 2017. Ai gjendej në fushë duke u përballur me Mariborin në Champions Ligë, ndërkohë që hajdutët u futën në shtëpinë e tij, për t’u larguar pas britmave të banorëve të lagjes.