“Më vjen të vjell kur flasin femrat për taktikë”, RAI pezullon kampionin e botës

Ish-kampioni i botës në 1982, Fulvio Kolovati, është vënë nën akuzë për fjalët e tij skandaloze në emisionin ‘Quelli che il Calcio’ në Rai2, televizioni shtetëror në Itali.

Kolovati, tashmë opinionist në RAI, lëshoi disa batuta të pafalshme, duke u akuzuar nga të gjithë për seksizëm.

Kur dëgjoj një femër, edhe gratë e futbollistëve, të flasin për taktikë, më përzihet stomaku. Nuk duroj dot! Nëse flet për ndeshjen, si përfundoi e gjëra të tilla, dakord. Por nuk mund të flasësh për taktikë, sepse femra nuk kupton si një mashkull, është e kotë“, tha Kolovati të dielën.

RAI në siklet të madh, aq sa edhe në lidhje direkt pati momente hutimi, derisa drejtuesi Luka Bixarri u mundua ta kthente në humor “je një maskilist i poshtër”.

Kolovati as që kishte ndërmend të zmbrapsej: “Gruaja ime nuk ka guxuar kurrë të flasë për taktikë”.

Pikërisht bashkëshortja e tij, Katerina Kolovati, ka komentuar në Twitter, duke reaguar nga një femre: “E dashur, bashkëshorti im foli për taktikë… Taktika e shpjeguar nga një femër nuk më bind… Kur prezantoja emisione futbolli nuk kam pretenduar kurrë të merrja vesh dhe të shpjegoja skemën 4-4-2. Bota uniseks nuk më përket si vizion”.

Debate pa fund, që kanë detyruar Kolovatin të kërkojë falje publike: “Kërkoj falje për frazat seksiste që pa qëllim i thashë dje, në një moment humori në emision. E di që kam lënduar ndjeshmërinë e femrave, gabova dhe më vjen keq, nuk desha të ofendoj askënd”.

RAI, gjithsesi, ka marrë një masë, sepse e ka pezulluar për dy javë nga emisioni ‘Quelli che il Calcio’.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *