Rikthehet Championsi, dy përballje zjarri në Angli e Francë

Mbrëmjen e sotme do të rikthehen përsëri emocionet e Champions League, teksa do të luhen dy përballje shumë të forta. Të gjithë prozhektorët do të jenë të drejtuar në “Anfield”, ku do të përplasin brirët Liverpuli dhe Bajerni i Mynihut.

Të dyja skuadrat do të kenë disa mungesa, ku më me peshë shihen ato nga krahu i “The Reds”, ku Jurgen Klop do t’i duhet të bëjë pa Virxhil Van Dijk, Xho Gomez dhe me shumë mundësi po ashtu dhe Dejan Lovren. Tre mungesa në mbrojtje, ku i vetmi që është në formë optimale është Zhoel Matip.

Gjithashtu, me pikëpyetje të madhe është edhe prezenca e Roberto Firminos, i cili ka pasur probleme ditët e fundit. Për Bajernin, nuk do të jetë i gatshëm, Arjen Roben, Toliso, Boateng dhe Myler. Lajme të mira ka pasur për sa i përket Goreckës, i cili rrezikonte të mos ishte pjesë e grupit, por sot ka pasur shenja të mira.

Ndërkohë, nga ana tjetër, në Francë do të luhet përballja midis Olimpikut të Lionit dhe Barcelonës. Përballja shihet si delikate për blaugranat, pasi mjafton të kujtojmë precedentin e Mançester Sitit, të cilët në dy përballje në grup me Lionin, grumbulluan vetëm një pikë.

Së fundmi, francezët triumfuan dhe ndaj PSG-së, duke treguar një tjetër provë force ndaj ekipeve të mëdha. Mungesë e madhe për ekipin e Bruno Zhenesio do të jetë kapiteni Nabil Fekir, i cili mungon për shkak kartonash. Ndërkohë, te Barça mungesa të konfirmuara prej kohësh janë Artur, Rafinja e Vermalen, të cilët vuajnë dëmtime të ndryshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *