Kukësi nuk arriti të fitonte përballë Laçit dhe diferenca me Partizanin ka shkuar në pesë pikë. Armando Cungu ka folur pas ndeshjes për emisionin “Gol pas Goli” në “Supersport”, duke analizuar ndeshjen kundër bardhezinjve.
Trajneri i Kukësit është i mërzitur me rezultatin dhe shpjegon shkakun e mungesës së tre pikëve. Selmani i bardhezinjve ishte i pakalueshëm, ndërsa në fund ka një mesazh të qartë për lojtarët e tij.
NDESHJA – “Unë nuk do të thosha që është një nisje e keqe. E donim fitoren dhe si volum loje, nuk ishte një lojë e keqe. Na mungoi fitorja, por për këtë gjë, ka meritë portieri i Laçit, që na mohoi tre gola të sigurt.”
ECURIA – “Normalisht, ndeshjet ikin dhe me pikë nuk po afrohemi. Menduam se me tre pikët sot do të afroheshim me Partizanin, por kam theksuar se nuk është aspak e lehtë. Nuk na lanë hapësira dhe ishte shumë e vështirë për të gjetur rastet e duhura.”
RROCA DHE SHKURTAJ – “Në përgjithësi, bënë mirë, por pres më tepër nga ata dy lojtarë, pasi kanë shumë potencial. Do iu japim kohën e tyre që të ambientohen. Futbolli është i tillë, duhen vetëm rezultate, dhe jo lojë. Ne nuk jemi shtypshkronjë, për të stampuar lojtarë ashtu siç i duam ne. Do punojmë me këto që kemi.”
SKEMA – “Po nuk e di pse, por di të them se koha nuk pret. Kërkohen pikët dhe ne provuam sot se mund të luajmë me sistemin që kemi patur sukses në fundin e vitit të shkuar. Edhe në miqësore, bëmë shumë mirë. Në 30 minutat e fundit, shtova lojtarë në sulm, për t’i dhënë pozicionet e tyre Shkurtajt dhe Rrocajt. Por ishte shumë e vështirë që të çahej kundërshtari, që ishte me shumë forca në mbrojtje. Ekipi krijoi ekipet për shënim, por Selmani ishte në ditën e tij perfekte.”
SELMANI – “Thashë që ekipi krijoi volum dhe krijoi lojë për 90 minuta. Goditëm disa herë, shumë korne dhe bëmë shumë raste të rrezikshme. Por Selmani bëri shumë mrekulli, sidomos te Shkurtaj dhe Çyrbja. Ekipi tentoi dhe provoi golin, si nga krahët, ashtu dhe nga qendra.”
MESAZHI – “Sa i takon lojës, terreni nuk është shumë i vështirë. Që në minutën e parë, kërkuam golin dhe momenti vjen po e kërkove. Ne provuam, por kundërshtari bëri mjaft mirë. Nuk e di çfarë duhet ndryshuar me emergjencë, por në futboll çdo gjë kërkon kohën e vet. Të gjithë duan të bombardojnë dhe të shënojnë gola kundër kundërshtarit, por futbolli është ndërtuar i tillë, me tri rezultate. Kush e përballon presionin, luan, kush jo, hap krahun.”