Në kupolën drejtuese të Interit mund të vijë së shpejti një emër i ri dhe shumë i njohur. Bëhet fjalë për biznesmenin Xhek Ma, i cili është kinezi më i pasur në planet me një pasuri që përllogaritet te përreth 36 miliardë dollarë.
Sipas “fcinter1908.it”, ka shumë fakte që të bëjnë të besosh se Xhek Ma do të jetë blerësi i pjesës së aksioneve që mbahet nga indoneziani Erik Tohir, i cili ka vënë në shitje 31% të aksioneve të skuadrës së tij.
Pak muaj më parë presidenti i UEFA-s, Aleksandër Ceferin, u pa në një takim me kreun aktual të Interit, Stiven Zhang dhe biznesmenin Xhek Ma. Arsyeja e takimit ka qenë sigurisht, negociatat për lehtësimin e masave për shkeljen e “Financial Fair Play”, çka do të bënte të mundur që klubi zikaltër të investonte sërish fuqishëm në merkato, pa pasur frikën e dënimeve të mëvonshme, siç ndodhi në fillim të këtij sezoni.