Ëndrra e realizuar për Krishtlindje, gjiganti skocez befason adoleshentin

Shumica dërrmuese e 15-vjeçarëve në të gjithë botën, pa dashur për t’i ulur vlerat ndokujt, ditën e 24 dhjetorit, mund të jenë me telefonin në dorë ndoshta, duke parë story-t në Instagram, Facebook apo Snapchat. Jo të gjithë zgjedhin të njëjtën rrugë, pasi ka një pjesë të vogël, të cilët që në moshën 15-vjeçare luftojnë për t’u bërë të mëdhenj.

I tillë është Karamoko Kader Dembele, 15-vjeçari, i cili ditën e sotme të 24 dhjetorit, bëri ëndrrën e tij realitet. Lindi në 22 shkurtin e vitit 2003 në jug të Londrës, por brenda një viti familja e tij lëvizi drejt Skocisë, konkretisht në Gllasgou. Ëndrra e djaloshit me prindër nga Bregu i Fildishtë, nisi në moshën 5-vjeçare, kur hodhi hapat e parë me topin në këmbë.

5 vite më vonë, djaloshi do të transferohej në akademinë e Sëlltikut të Gllasgout, një ndër ekipet më historikë të vendit. Brenda 3 vitesh, Karamoko mahnit me aftësitë e tij dhe në vitin 2016 vjen kapërcimi i madh, ku djaloshi bën xhiron e botës. Vetëm 13 vjeç, “Kaddy”, siç quhet ndryshe, përfshihet në një turne me skuadrën u-20 të Sëlltikut, ku si kundërshtarë, ka lojtarë deri në 7 vite më të mëdhenj se ai.

Një nga trajnerët e moshave të Sëlltikut në 2016 foli për “vogëlushin”, duke mos i kursyer elozhet për të. “Shumë i ngjashëm me Lionel Mesin”, ishin fjalët e teknikut skocez. Kështu, për t’u kthyer në ditën që jemi sot, të 24 dhjetorit, Karamoko Kader Dembele firmosi kontratën e parë si profesionist dhe mosha e tij është vetëm 15 vjeç. Tek e fundit, jo më kot kanë thënë, mosha është vetëm një numër…

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *