Mezani: Ndeshje me dy fytyra, Shkurtaj është i joni. Premio? Edhe mbreti i ka qejf…

Luftëtari reagoi pas momenteve të vështira dhe e mbylli në mënyrë pozitive këtë vit. Katër pikë kundër Skënderbeut dhe Partizanit nuk janë pak dhe gjirokastritët renditen në vendin e tetë me 17 pikë, dy më shumë se zona e rrezikut.

Gentian Mezani ka folur pas ndeshjes në emisionin “Gol pas Goli” në “SuperSport”, duke analizuar ndeshjen dhe barazimin kundër ekipit kryesues. Trajneri vlonjat komenton dhe merkaton e klubit, duke u ndalur te situata e sulmuesit Shkurtaj, si dhe komenton zërat e një premio nga ana e Kukësit për të ndalur ekipin e “demave”.

NDESHJA – “Pjesën e parë e falëm, ishim jashtë çdo momenti të lojës. Pjesën e dytë u mundova t’u jap karakterin tim dhe ta vënë në fushë. Nuk duhet vetëm që atë ta japim vetëm në pjesën e dytë, pasi e kishim përgatitur për të fituar. Është e disata herë që falim një pjesë loje. Lojtarët duhet të ndryshojnë mentalitetin dhe ta shohin këtë ndeshje”.

RROCA- SHKURTAJ – “Për momentin ka ikur Rroca, Shkurtaj është ende i joni. Largimi i tretë nga ekipi i vjetshëm. Drejtuesit më kanë dhënë garanci, kemi folur edhe për afrimet. Shpresojmë t’i mbyllim bisedimet që kemi me ta dhe të përforcohemi. Me largimin e Rrocës dobësohet skuadra”.

Zërat për premio nga Kukësi? Absolutisht nuk di gjë, di që kemi premio nga presidenti. Skuadrën e motivon kjo. Na është thënë që e kemi nga presidenti. Nëse ai do të japë premio çdo ndeshje, akoma më mirë. Nuk kam informacion për palë të treta”.

EKIPI – “Është detyrë për çdo lojtar të bëjë maksimumin në çdo ndeshje. Ne paguhemi për këtë. Ka pasur vonesa dhe lojtarët do të marrin atë që kanë në kontratë. Nëse ka premio, është motivuese. Bëmë një ndeshje të mirë, nuk më pëlqen të flas për lekë. Ato i ka qejf edhe mbreti, normalisht edhe futbollistët. Jam shprehur për problematikat, i kam rezauruar”.

MBROJTËSI – “Janiçiç ka pësuar një dëmtim në shpatull. Nuk ia doli të luante, të jeni të bindur për këtë. Ka qenë me skuadrën deri në momentin e fundit. Edhe Radoviç ka munguar, nuk ia doli, pasi ka pësuar të njëjtin dëmtim. E kishim menduar për formacion. Të jeni të bindur që jam i sinqertë në këto që them”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *