Humbja ndaj Fiorentinës ka lënë një shije të hidhur te Milani. Goli i Federiko Kiezës la kuqezinjtë e Gatuzos në vendin e pestë me 27 pikë, një më pak se Lacio.
Trajneri nuk rrezikon dhe gëzon mbështetjen e dyshes Leonardo-Maldini, ndërsa një tjetër trajner është larguar nga Milani. Flasim për Alesandro Lupin, trajnerin e ekipit të rinjve, njohur ndryshe si “primavera”. Djemtë e tij renditen në vendin e 12-të në kampionat, duke zhgënjyer me paraqitjet e tyre.
Në vend të tij është zgjedhur Marko Simone, një emër i madh i Milanit të viteve 90-të. Ish-sulmuesi, i cili ka shënuar 49 gola me ekipin e “Djallit” dhe ka drejtuar së fundmi ekipin tunizian të Club Africain, do të marrë detyrën e re dhe qëllimi kryesor është rritja e të rinjve dhe furnizimi i ekipit të Gatuzos me lojtarë të talentuar.