Në “ringun” e drejtësisë sportive me tifozët, në “knock down” po bie futbolli!

Shqipëria ka disa vite që e ka përmirësuar infrastrukturën sportive, kryesisht me futbollin. Vit pas viti janë rikonstruktuar fusha e stadiume, të cilat kërkojnë të ecin paralelisht me kohën, ndërsa “Arena Kombëtare” shkon drejt niveleve evropiane. Kjo është një dukuri pozitive, por brenda saj ka edhe një tjetër dukuri, që këtë herë është negative sa i përket tifozerisë që akomodohet në këto stadiume. Në ndeshjet e Kombëtares tifozeria ka qenë e admirueshme, madje në dhjetë vitet e fundit ajo ka qenë aktive dhe masive, duke u bërë realisht “lojtari i 12-të” për kualifikimin në Kampionatin Europian 2016.

Por ndryshe ndodh me tifozerinë e skuadrave shqiptare, si në Kategorinë Superiore ashtu edhe në kategoritë e tjera, ku të paktën në dhjetëvjeçarin e fundit, dënimi i tifozerive në skuadra të ndryshme në futbollin shqiptar është kthyer në një normalitet, duke i boshatisur impiantet e fushat sportive javë pas jave. Në këndvështrimin e atmosferës që krijon “lojtari i 12-të”, kjo duket shumë e rëndë për futbollin tonë, njëherësh edhe në aspektin ekonomik. Por duke ju referuar drejtësisë sportive, kjo tifozeri duket se del e zbuluar pasi ka nevojë së pari për kulturë, ka nevojë të ndajë nga psikologjia e saj futbollin e luajtur me sportin e boksit!

Të gjithë shohin tifozë në mbarë botën sportive, madje janë parë edhe skena dhune, veprime të rënda deri në humbje jete, apo edhe nacionalistë që stadiumet i kanë kthyer në mitingje politike. Por këto nuk duhet të kenë lidhje me kulturën shqiptare, dhe aq më shumë me kulturën tonë sportive. Importimi i tyre ka sjellë ndëshkime, madje edhe të rënda. Dakord, por ndëshkimi i parë i shkon futbollit, i shkon atmosferës së tij dhe financave. Të ndalemi te sfida e ditës së premte 14 dhjetor 2018, Partizani-Kukësi. Do të luajnë në “Selman Stërmasi” dy skuadra të mëdha të futbollit tonë me 16 tituj kampionë në historinë e tyre.

Për javën e 17-të do të luajnë vendi i parë me vendin e dytë të Superiores, por pa tifozë të pranishëm, sepse ata janë të dënuar të mos jenë në stadium, dhe shkallët e tribunat e “Selman Stërmasit” do ti qortojnë në këtë ndeshje. Sa vlerë ka sfida pa ata? Pa harruar edhe Besën e Shkumbinin, të cilat këtë fundvit e mbyllin me stadiume të boshatisura. Drejtësia dhe tifozeria janë vënë realisht ballë për ballë, por nuk duhet kuptuar se mes tyre ka të fituar. Në këto raste ka vetëm një të humbur, dhe ai është Futbolli!

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *