Elvin Beqiri nuk do të jetë më pjesë e stafit të Vllaznisë. Ish-lojtari i njohur i kuqebluve do të japë kontributin e tij te skuadra ne 17-vjeçarëve të Shqipërisë, duke e bërë të pamundur vazhdimësinë e tij te ekipi i zemrës. Vetë Beqiri ka kërkuar dorëheqjen që është pranuar nga drejtuesit e klubit shkodran. Menjëherë ka ardhur dhe emërimi i ndihmësit të ri të Hasan Likës.
Përmes një postimi në sajtin zyrtar, Vllaznia ka njoftuar se do të jetë Safet Osja zëvendëstrajneri i ri i ekipit kuqeblu. 43-vjeçari ka arritur që të shpallet kampion në vitin 2006 me Elbasanin, ndërsa ka qenë pjesë e skuadrës së Laçit, Vllaznisë, Elbasanit dhe Adës së Velipojës. Osja do të bashkohet që ditën e sotme me skuadrën e Vllaznisë.
“Emërimi i Elvin Beqirit në postin e trajnerit të ekipit kombëtar U17, ia ka bërë të pamundur vazhdimin e punës si zëvendëstrajner i ekipit të parë të Vllaznisë. Për këtë arsye, ai ka dhënë dorëheqjen nga kjo detyrë. Drejtuesit e klubit, në bashkëpunim edhe me trajnerin Hasan Lika kanë vendosur që në vend të tij të emërojnë një tjetër emër shumë të njohur të futbollit shkodran dhe atij shqiptar. Bëhet fjalë për ish- futbollistin e njohur të Vllaznisë Safet Osja. Nga pasditja e sotme, ai do të nisë punën me ekipin. KF Vllaznia i uron suksese në detyrën e tij të re Safet Osjes duke shpresuar që të gjithë së bashku të arrijmë objektivin që kemi: Ngjitjen në Superligë”!