Mançester Junajtid i tronditi të gjithë, pasi klubi postoi në faqen zyrtare, mesazhin e një tifozi, ku lexohej “Murinjo zhduku nga skuadra ime”. Ngjarja ndodhi pasi personat përgjegjës për marrëdhënien me publikun në skuadër, po publikonin lajme rreth barazimit 2-2 me Sauthempton.
Përmbajtja e mesazhit ishte një vlerësim për paraqitjen e Markus Rashford, pasi sulmuesi anglez shërbeu dy topat e golave, që evituan humbjen e “Djajve të Kuq”. Por, ajo që binte në sy ishte emri i adresës, i cili e vendosi klubin në pozita aspak komode.
Zhoze Murinjo mbetet nën presion dhe pozitat e tij në krye të stolit të Mançester Junajtid vazhdojnë të luhaten, pasi ekipi e sheh veten 8 pikë larg katërshes së parë në renditjen e Premier Ligës. Skuadra ka regjistruar vetëm 6 fitore në 14 ndeshje dhe diferenca e golave është negative.
Për më tepër, Murinjo vazhdon përplasjet me yllin e skuadrës, Pol Pogba. Ai e cilësoi mesfushorin “një virus, i cili po infekton të gjithë skuadrën”. Sulmi verbal i trajnerit ndaj futbollistit ndodhi para të gjithë ekipit, duke e akuzuar francezin se “nuk luan, nuk respekton shokët e skuadrës dhe vret mentalitetin e mirë dhe të ndershëm të njerëzve që e rrethojnë”.