Tirana po përgatitet për derbin me Partizanin, ndërkohë që në një lidhje direkte me “Supersport” ka qenë menaxheri i ekipit, Mario Nikolli, ai që ka folur. Mes të tjerave ai foli në lidhje me organizimin e përballjes me të kuqtë.
“Tribunën A dhe sektorët H1, H2 do të jenë në dispozicionin tonë. D2 do të jetë i mbyllur, sipas marrëveshjes mes klubeve. Është ndarje e mirë. 1600-1700 bileta do të jenë për tifozët e Tiranës. Ato sektorë do mbushen dhe shpresoj se do jenë në mbështetje të ekipit si herën e parë”.
Më pas ai foli në lidhje me derbin e parë: “Policia ishte në gatishmëri. Nuk pashë që të thotë njeri bravo për organizimin, gjithçka shkoi mirë përveç rezultatit. Janë shumë gjëra në prapavijë, që tifozët apo të tjerët nuk i dinë. Ndaj edhe duhet edhe ndonjë fjalë e mirë”.
“Akreditimet e gazetarëve në derbi? Ka pasur shumë kërkesa, madje edhe debate brenda nesh. U dhamë prioritet atyre që i kemi të përditshëm në konferenca dhe në stërvitje. Ka edhe nga ato raste, që vijnë e thonë: ‘unë veç në derbi vij, dua tre akreditime’. Por ne na interesojnë ata që qëndrojnë pranë Tiranës në vazhdimësi. Pasi rregulluam gazetarët sportivë, kemi akredituar edhe ndonjë të politikës. Të njëjtat probleme do i ketë edhe Partizani”.
SITUATA NË EKIP – Ekipi ka zbritur në fushë me 30 minuta vonesë, për shkak të gjendjes së fushës në “Skënder Halili”. Shirat e shumtë kanë ndikuar dhe në klub po mendojnë për ndërhyrjen në fushën stërvitore. Plot 14 vite ka që është vendosur tapeti dhe tanimë ta ardhur koha për të vënë të riun.
Sa i takon formacionit, me shumë mundësi Greca do të zëvendësohet nga Dejan Blazhevski. Sulmuesi maqedonas është rikuperuar edhe është gati për lojë. Ndërkohë ka të reja edhe në lidhje me Majkëll Ngo.
Sulmuesi në fundjavë u aktivizua me ekipin e dytë, ndërkohë që tanimë po punon sërish me ekipin e parë. Në fakt edhe në seancat e javës së shkuar e ka bërë diçka të tillë, por është gjetur gjuha e përbashkët që deri në dhjetor sulmuesi anglez të japë kontributin e tij për Tiranën. Më pas do të ketë sërish bisedime, pasi sikurse dihet problemet disiplinore me të nuk kanë qenë të pakta.