Disa histori në botën e futbollit, e meritojnë të tregohen. E tillë është edhe ajo e Denis Bergkamp. Një ngjarje që ka ndodhur ekzaktësisht 20 vjet më parë, në gusht të vitit 1997. Diçka, të cilën askush nuk ka arritur t’a përsëritë. Ish-ylli holandez, i lindur në Amsterdam dhe i rritur profesionalisht te Ajaksi dhe që pas dy sezoneve të pafata te Interi në Serinë A, u transferua në Premier Ligë, për t’u shndërruar në yllin e madh të Arsenalit.
Karriera e Bergkamp mori hov pikërisht me “topçinjtë”, ku me Arsen Venger në stol u formua një lidhje e cila zgjati për shumë vjet. Një prej sezoneve më pozitivë në Angli ishte 1997-1998, i cili përfundoi me triumfin në kampionat. Në atë edicion të Premier Ligës, realizoi 16 gola.
Që ai do të ishte sezoni i yllit holandez dhe i Arsenalit, u kuptua prej muajit gusht, periudha kur Bergkamp regjistroi një primat, i cili duket i destinuar që të qëndrojnë për shumë vite si një prej arritjeve të futbollit botëror. Numri 10 u klasifikua i vetëm, me tre rrjeta të ndryshme të shënuara, në podiumin e “Golit më të Bukur të Muajit”.
Në vendin e tretë ishte goli i shënuar më 23 gusht 1997 kundër Sauthemptonit: e mahnitshme për inkursionin me topin në këmbë, driblimi magjik dhe në fund e djathta që mposhti portierin. Në vendin e dytë ishte rrjeta, që Bergkamp realizoi katër ditë më pas në portën e Lestërit, me një predhë të denjë për një kampion të madh.
Goli më i bukur ishte realizuar sërish nga Denis Bergkamp. Rrjetë të cilën edhe vetë ish-lojtari e cilëson si më të bukurën në karrierë: miks i teknikës së admirueshme, driblimit dhe ekzekutimit. Katër prekje të topit, kontroll i jashtëzakonshëm i topit, mënyra fantastike si nxorri jashtë loje mbrojtësin dhe goli. Gjithçka e bërë me një lehtësi mbresëlënëse, sikur të ishin lëvizjet më të thjeshta në botë.
Throwback to August 1997 when 3 of Dennis Bergkamp’s goals were voted 1st, 2nd and 3rd for Goal Of The Month. pic.twitter.com/O5Phs1xtM4
— Throwback Arsenal (@ThrowbackAFC) September 3, 2018