Vetëm dy muaj në stolin e Kamzës. Rikthimi i Klodian Duros në krye të stolit nuk rezultoi një aventurë e lumtur. Dy vjet më parë te Kukësi fitoi Kupën e Shqipërisë, ndërsa te skuadra nga periferia e kryeqytetit u largua ende pa nisur mirë punën. Madje mënyra e largimit ishte e çuditshme, me ish-mesfushorin e Kombëtares që ishte shkarkuar prej tre ditësh, por nuk ishte njoftuar zyrtarisht.
Mënyra e largimit, por edhe situata në Kombëtare, duke hequr një paralele me trajnerin Kristian Panuçi, i cili mori sërish besimin e federatës. Këto ishin temat për të cilat Klodian Duro foli në programin “Zona Gol” në “SuperSport”.
“Kur ke një kontratë profesioniste, përpara se të shtrëngosh duart opër tu ndarë, më parë duhet të ulesh në tavolinë për të diskutuar, situatat taktike dhe gjithçka. Në momentet kur rezultatet nuk ecin, diçka duhet të ndryshojë. Nga taktika, te mënyra e punës dhe sjellja. Këto janë gjërat që duhet të diskutohen. Për asnjë moment nuk e kam menduar se u tradhëtova nga drejtuesit e klubit, apo nuk do ta mendoj. Ishte një eksperiencë e lodhshme dhe e bukur. Të marrësh rezultate pozitive nuk është e lehtë. Shpresoj që Kamza ta arrijë objektivin, të qëndrojë në Superiore dhe e ka kualitetin për ta realizuar”.
“E njëjta gjë vlen edhe për Panuçin, i cili e ka të qartë se duhet ta ndryshojë ekipin. E gjithë kjo kohë i ka shërbyer trajnerit dhe tani ka ardhur koha e pikëve. Tashmë, Kombëtarja duhej ta kishte krijuar një fizionomi në aspektin taktik, në emra lojtarësh apo në taktikë loje. A luajmë në sulm apo në mbrojtje. Trajneri duhet të krijojë harmoninë e plotë rreth, me të gjithë komponentët rreth skuadrës”.
“Një brez ish-futbollistësh, të cilët janë trajnerë tashmë dhe që nuk janë shkëputur nga futbolli shqiptar, besoj e kanë një panoramë më të plotë nga trajneri Panuçi. Kur je në krye të Kombëtares, ke avantazh se mund të grumbullosh kë të duash dhe kur të duash. Nuk është njësoj si një klub, kur grupi krijohet dhe mbyllet në merkaton e verës. Në Kombëtare mund të marrësh të gjithë ata që i përshtaten më tepër ekipit dhe mënyrës së lojës”.