U transferua në Vlorë në merkaton e verës. Prej ngërçit me ish-klubin e tij, Kukësi, humbi më tepër se 1/3 e kampionatit. Elton Kale qëndroi plotë 7 muaj pa luajtur, por tregoi se ka kualitetin për të bërë diferencën te Flamurtari. Në ndeshjen e parë zyrtare me vlonjatët, braziliani dha asistin e golit të Bushiç, që theu Partizanin.
Jo vetëm kaq: Kale fitoi menjëherë zemrat e tifozëve kuqezi. Teknikë, shpërthime dhe gjithmonë gati për të hyrë në duele. Ishte vetëm ndeshja e parë me ekipin, por sulmuesi i krahut dukej sikur nuk kishte qëndruar për asnjë moment pushim. Hera e fundit që kishte zbritur në fushë, në një ndeshje zyrtare, ishte më 29 prill, me fanellën e Kukësit kundër Skënderbeut.
Pas largimit nga veri-lindorët, ku bojkotoi edhe ndeshjet në Champions League, nisi “luftën” me klubin. Te Kukësi këmbëngulnin se braziliani kishte kontratë, ndërsa Kale nga ana e tij pretendonte se firma ishte e falsifikuar. Një çështje, e cila nuk u zgjidh as nga Federata e Futbollit dhe as nga FIFA. E zgjidhën dy klubet, me vlonjatët që pranuan të paguanin 50 mijë euro për kartonin.
Te Flamurtari e blenë për herë të dytë (pavarësisht se në verë nuk paguan asnjë qindarkë, sepse firmosën kontratë si lojtar i lirë) dhe goditën në shenjë. Trajneri Daja e kishte thënë sa e sa herë, se e priste brazilianin për ti dhënë një impuls të ri lojës së ekipit. Kura “Kale” dha menjëherë efekt dhe të gjithë besojnë se aktivizimi i 30-vjeçarit mund të ndryshojë për mirë sezonin e bregdetarëve.