Reagon Tomori: Lojtarët nuk janë paguar, por bojkoti është i papranueshëm

Tre muaj pa u paguar. Një ditë bojkot nga futbollistët, të cilët në situatën aktuale vendosën të mos dilnin për 24 orë në stërvitje. Situata te Tomori nuk është ndër më të mirat, me sekretarin e përgjithshëm të klubit, Gëzim Zema, që pranon problemet financiare, por e cilëson të papranueshëm bojkotin e skuadrës.

Një veprim, për të cilin klubi ka ndëshkuar edhe tre futbollistë. Në anën tjetër, zyrtarët e klubit beratas kanë kërkuar rritje të fondit, për të përballuar shpenzimet, ndërsa kërkojnë nga skuadra, që megjithë problemet me pagat, të reagojë duke fituar në trasfertën e së shtunës në Lushnje.

Reagimi i plotë i Sekretarit të Përgjithshëm të Bashkisë Berat, Gëzim Zema: “Duke ju falënderuar për çdo shkrim në drejtim të ekipit të Tomorit, dua t’ju sqaroj se:

Klubi është treguar tepër korrekt në pagat e lojtarëve për më shumë se 3 vite, me në krye presidentin e ekipit dhe njëkohesisht Kryetarin e Bashkisë Berat, z.Petrit Sinaj. Ajo çfarë prisnim nga ekipi, nuk ka ndodhur. Nuk jemi aty ku duhet të ishin, bazuar në kontratën e nënshkruar mes lojtarëve dhe klubit.

Ka një të vërtetë, që edhe lojtarët u bindën më në fund. Ne jemi klub bashkie. Në datën 9 nëntor, Ministria e Financës solli detyrimisht limitin e shpenzimeve. Pra, ne kemi para, por nuk kalojnë në thesar lekët. Edhe pse kemi bërë shkresë zyrtare që kemi lojtarët pa paguar, deri më tani nuk ka kthim përgjigjeje. Ne shpresojmë që të na shtohet limiti për të kaluar pagat.

Bojkoti është i papranueshëm. Prandaj, klubi ka ndëshkuar 3 futbollistë. Ne e njohim situatën edhe në klubet e tjera të Kategorisë së Parë, por edhe në Supeligë. Ne si klub jemi tepër të zhgënjyer. Edhe lojtarët e kanë pranuar këtë gabim. Ne do jemi korrektë deri në fund.

Po lojtarët, e kanë justifikuar deri më tani? Ne themi: Jo! Besoj i këtij mendimi është edhe tifozeria beratase. Por, edhe vetë lojtarët e pranojnë. Ju kemi dhënë 3 herë premio për fitore, por nuk kanë fituar. Çfarë mund të bëjmë më tepër? Le të fitojnë të shtunën në Lushnjë. Koha është kriteri më i mirë i së vërtetës”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *