Kordela: Nuk kemi vdekur, mund të befasojmë!

Fabio Kordela u prezantua sot bashkë me trajnerin Ernest Gjoka. Drejtori i ri i përgjithshëm foli në konferencën për shtyp, duke treguar besimin  tij të madh që ka për këtë skuadër. Kordela ka një eksperiencë të gjatë në Hungari, por ka punuar dhe si drejtor sportiv i Akademisë së Juventusit në Amerikën e Jugut. Drejtori i ri i Kamzë si ka idetë e qarta dhe duket i vetëdijshëm për atë çka e pret në skuadrën nga periferia e kryeqytetit.

“Superligën e njoh, pasi kur isha tek Honvedin luajtëm kundër Flamurtarit. Situata e Kamzës nuk është më e mira, çka shihet nga të gjithë. Urojmë që së bashku me trajnerin të përmirësohemi”.

“Nuk do të iki pa ardhur mirë, duhet ta dini këtë gjë. Jam bërë pjesë e një projekti ambicioz, në një klubi me një president serioz, i cili  është ndër presidentët më jetëgjatë në Shqipëri. Do të mundohem të jap kontributin tim për përmirësimin e aspekteve të vogla, që do të ndihmojnë për të dalë nga kjo situatë”.

“Karriera ime ka nisur në Bregun e Fildishtë, nuk trembem nga asgjë. Edhe në Itali nuk është se infrastruktura shkëlqen. Stadiumi i Juventusit, stadiumi i Sasuolos, i Udinezes apo ai i riu i Spalit, por nuk ka shumë të tjerë të bukur. Edhe këtu si kudo ka nevojë për përmirësim dhe besoj se edhe qeveria pak nga pak do të përmirësojë gjërat. Qendra stërvitore m’u duk e mirë, mund të bëhet një punë e mirë. Rëndësi ka që tifozët na ndjekin, edhe pse kemi një stadium të kufizuar. Duhet të jemi të bashkuar dhe të besojnë te ky projekt. Unë vë në lojë reputacionin tim dhe ofroj eksperiencën time për të kërkuar të bëjmë diçka pozitive”.

“Duhet të vlerësohen lojtarët, si dhe të krijohen të ardhura me transferimet. Mendoj se Kamza mund ta bëjë, unë e kam bërë në çdo klub ku kam punuar. Nuk kam punuar kurrë në klube të pasur, duhej t’i krijonim vetë të ardhurat për klubin, gjë që mund ta bëjmë edhe te Kamza”.

“Renditja shihet në fund. Nuk kemi vdekur, përkundrazi, besoj se Kamza i ka kartat në rregull për të qenë një befasi e madhe. Do të flasim sërish pas disa muajsh, por nuk besoj se ka ndonjë gjë të pamundur”.

 

“Do të vij shpesh në Shqipëri, për të biseduar me drejtuesit dhe me trajnerin, për të ndjekur nga afër ndryshimet në skuadër dhe në klub. Natyrisht, do të jem në lëvizje, për të gjetur zgjidhje, në aspektin sportiv pikësëpari, duke kërkuar të sjell në Shqipëri çka shoh pozitive përreth, ndaj do të jem sa në Shqipëri, ashtu edhe jashtë saj.

 

“Kemi folur me klubin, në ditët e ardhshme do të kemi të reja në merkato”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *