E ardhmja në FSHF dhe pyetja e çuditshme me Greqinë, Duka “hap zemrën”

Armand Duka, presidenti aktual i FSHF-së, i ftuar në emisionin “Rudina” në TV Klan, ka treguar shumë aspekte të jetës së tij, ndërkohë që nuk mund të lihet mënjanë futbolli. Pyetja e parë për kreun e federatës ishte në lidhje me çelësin e suksesit.

“Jo vetëm në federatë, por në çdo fushë çelësi i suksesit është puna dhe impenjimi. Në futboll thuhet se është talenti, por 1% është talent, 99% punë. Me impenjim arrihet lart”, tha mes të tjerash Duka. më pas u ngacmua në lidhje me të ardhmen ne FSHF, nëse do të kandidojë sërish.

“Ma bëjnë shpesh këtë pyetje. Isha para pak ditësh dhe po vizitoja kompleksin ku po ndërtohet Federata e re dhe thashë që është mëkat të ikësh kur sheh projektet madhore që po bëhen. Pak a shumë mund të quhet një mision i plotësuar me stadiumin dhe shtëpinë e futbollit”, shtoi numri një i futbollit në vend.

EMOCIONET – “Futbolli si lojë është shumë emocional, i jep çdo njeriu që e sheh, është aktor, apo drejton emocione. Kur je edhe drejtues emocionet bëhen edhe më të mëdha. Fitorja ndaj Greqisë ishte momenti më i gëzueshëm. Ishte minuta e tetë kur ishim 2-0 dhe unë nisa të pyesja sa minuta kanë mbetur. Greqia vinte si kampione Europe. Çdo ndeshje me komshinjtë ka më shumë emocione, sidomos me Greqinë. Fitorja me Rusinë ka qenë po ashtu emocionuese. Në Armeni ishte kulmi. Ishim 0-3 dhe unë nuk festoja pa mbaruar ndeshje. Në 92’30’’ De Biazi u kthye nga unë dhe më tha ‘u krye’. Ato emocione janë më të bukurat që kam marrë”.

RËNDËSIA E FEDETATËS – “Pak më njohin si biznesmen, për sa kohë më shohin si personazh i futbollit, është e rëndësishme. Kam luajtur si çdo fëmijë, jo si profesionist. Nuk kam pasur ambicie për të qenë futbollist”.

HAPAT E PARË NË BIZNES – “Kur mbarova të mesmen, e rëndësishme ishte të kisha një diplomë. Kjo ishte lufta që bënin prindërit e mi. Nuk ka qenë dëshira ime të bëhesha ekonomist, madje synoja gjë tjetër. Ajo që dilte, shkoje. Bëra ekonomikun dhe nisa punë në Burrel në parkun e mallrave. Isha i ri, por kisha një detyrë të rëndësishme drejtuese. Më dha eksperiencë dhe baza për më tej”.

“Në vitin 1991 u largova nga puna e shtetit. Nisa biznesin me gjëra të vogla, me 100 dollarë, 200 dollarë. Tregtoja brenda vendit. Importova më pas nga Greqia dhe Turqia. Im vëlla ishte mësues afër Shijakut, la mësuesinë dhe iu fut biznesit së bashku. Prindërit ishin kundër kësaj. Kështu u bëra biznesmen. Në vitin 1993 ndërtuam kompaninë AIBA me vëllanë dhe më pas ndërtuam edhe biznese të tjera”.

ECURIA E KOMBËTARES – “Pas një suksesi në Europë, grafiku do vinte në rënie dhe ka ndodhur. Preku fundin në miqësoren me Luksemburgun. Përkon me ndryshimin e brezave, ata që janë e kanë të vështirë të motivohen. pas ndeshjes me Izraelin nisi kthesa. Ekipi ka ardhur në rritje. Në futboll mbahen mend rezultate. Nuk flet dot për paraqitjet pa rezultate”

OBJEKTIVAT – “Dy investimet e fundit, stadiumi kombëtar dhe shtëpia e futbollit, që do ketë zyrat dhe dy mini-stadiume,  kanë qenë objektivat e mia. Do doja të rijetoja edhe njëherë pjesëmarrjen në Botëror ose Europian”.

One thought on “E ardhmja në FSHF dhe pyetja e çuditshme me Greqinë, Duka “hap zemrën”

  1. Paska filluar biznesin me 100-200USD!!! E fillova dhe une te shisja shkrepse dhe komca me 300USD, por se ku gabova dhe nuk me eci. Mbase nuk jam bizesmen i zoti si ky boti ketu! 😛

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *