Laçi do të ketë disa mungesa në ndeshjen me Kastriotin. Mbrojtësi Taulant Sefgini ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë dhe do të mungojë ndaj krutanëve, kurse Elvi Berisha ndaj Partizanit u ndëshkua me karton të kuq dhe normalisht nuk mund të luajë këtë javë.
Veç këtyre dy lojtarëve, trajneri Migen Memelli me shumë mundësi për këtë ndeshje nuk do të ketë as shërbimet e mbrojtësit Sebastian Toro. Kileni u dëmtua në ndeshjen me të kuqtë dhe la fushën e blertë që në minutat e para, ndërkohë që gjatë këtyre ditëve nuk është stërvitur me ekipin.
Gjithsesi nuk mungojnë alternativat. Jon Mersinaj është rikthyer dhe me Partizanin ishte ai që e zëvendësoi Toron. Futbollisti 19-vjeçar, i cili është huazuar nga Lokomotiva e Zagrebit, ka luajtur disa ndeshje nga fillimi dhe ka dhënë garanci.
Së fundmi ai fitoi edhe një vend te Shqipëria U21 dhe në miqësoren me Maltën luajti nga fillimi. Mbrojtësi pritet që të jetë titullar ndaj Kastriotit, ndërkohë që nuk duhet harruar se edhe Denis Pjeshka po rifiton formën sportive pas fazës rikuperuese.
Me shumë mundësi edhe shkodrani do të mund të luajë ndaj Kastriotit. Në mungesë të Sefgjinit, ai pritet të debutojë me fanellën bardhezi. Gjithsesi ende nuk është vendosur asgjë dhe pritet të shihen seancat stërvitore të kësaj jave për të mësuar më shumë mbi lëvizjen në kampin bardhezi.