“Derbi”, dyndje tifozësh dhe bamirësi: ka një tjetër Shqipëri-Skoci

Shqipëri-Skoci, me gjithçka po ndodh dhe do të ndodhë të shtunën në fushën e blertë, rezulton më shumë se një ndeshje futbollit. Prej rreth një jave plot 2 mijë skocezë kanë mbërritur në Shqipëri dhe po shijojnë bukuritë e vendit tonë. Nëpër rrugët e Tiranës i sheh të shumtë dhe të veshur fustanellën karakteristike. Sa shumë ngjashmëri me shqiptarët!

Fotot janë të shumta me kalimtarë të rastit, ndërkohë që të shtunën do të udhëtojnë drejt Shkodrës të organizuar me autobusë. Gjithçka e programuar, ndërkohë që Tartan Army kanë pasur edhe mbështetjen e Tifozave Kuqezi në organizimin e tyre.

BAMIRËSIA – Është traditë e tifozëve skocezë, që në vendet ku udhëtojnë në transferta të ofrojnë edhe donacione. Gjatë gjithë vitit ata mbledhin fonde dhe plot 5 mijë sterlina do t’ia dorëzojnë fondacionit “Jonathan” ditën e shtunë.

Kjo traditë ka nisur prej vitit 2003 në Lituani dhe në total Tartan Army kanë dhuruar plot 120 mijë sterlina në vende të ndryshme. Këtë herë ishte radha e Shqipërisë.

Tartan Army Sunshine Appeal, degëzimi i krijuar për bamirësi nga grupimi Tartan Army, do të dhurojë 5000 sterlina, gjatë një takimi me Jonathan Center, një organizatë jo fitimprurëse e cila ndihmon fëmijët me Sindromën Down, çrregullime të spektrit të autizmit dhe nevoja të tjera të veçanta.

https://www.facebook.com/tkz.al/photos/a.591987384197022/2080101088718970/?type=3&theater

DERBI I TIFOZËVE – E premtja do të jetë e veçantë. Në Kamzë, në “Qendrën Stërvitore të Ekipeve Kombëtare”, një grup i Tartan Army do të përballet prej orës 19:00 me formacionin e përzgjedhur nga Tifozët Kuqezi. Një përballje tifozësh, të cilët në fund do shtrëngojnë duart.

Sikurse kuptohet, një klimë mjaft e mirë mes tifozëve. Edhe në Skoci ndodhi njëjtë, teksa pati festë të përbashkët dhe shumë respekt nëpër rrugë. Tanimë shqiptarët po ua kthejnë mbrapsht mikpritjen. Të shtunën më pas do jetë një betejë që u përket futbollistëve, atyre që janë profesionistë dhe kanë shansin të përfaqësojnë dy kombe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *