Edis Maliki u afrua verën që shkoi te Kukësi, por ndonëse 22 vjeç ai është kthyer në një titullar fiks në formacionin e Armando Cungut. Mbrojtësi tregon për “RTSH Sport” se si ka shkuar aventura e tij e parë në Shqipëri. Normalisht që Maliki i ka të qarta objektivat e Kukësit dhe thekson se ai e shokët e skuadrës duhet të bëjnë kthesën duke nisur që nga takimi i radhës me Teutën, nëse duan që të mos humbasin gjurmët e titullit.
SUPERIORJA – “Fillimisht dua të falënderoj shokët e skuadrës dhe stafin e Kukësit që më ka ndihmuar në shumë situata që kam kaluar. Sa i përket Kategorisë Superiore dua të them se është shumë e vështirë dhe konkurruese, ajo që mendoj është se në këtë kampionat mund të bëj progres dhe të tregoj kualitetin tim”.
KUKËSI – “Kjo është hera e parë që luaj në Shqipëri dhe mendoj se deri më tani kam bërë mirë, por duke ditur objektivat e mëdha që ka Kukësi, duhet të bëj ende më shumë në të ardhmen”.
OBJEKTIVAT – “Realisht kemi humbur shumë pikë dhe kjo për fajin tonë. Duhet të punojmë fort që të eliminojmë gabimet dhe të kthehemi te rezultate pozitive”.
NDESHJA ME TEUTËN – “Nuk mendoj se duhet të ndryshojmë gjë, pasi prodhojmë lojë. Ajo që duhet të bëjmë është se duhet të jemi të përqendruar gjatë minutave të para të lojës dhe të mos pësojmë gol e të shënojmë. Duhet të marrim 3 pikët ndaj Teutës, pasi vetëm nëse vijojmë në këtë mënyrë mund të shkojmë në krye të kampionatit”.