“Viti i kolaudimit të Flamurtarit”, Idrizi i jep kohë trajnerit Daja

Katër fitore në nëntë javët e fazës së parë të kampionatit. Vendi i pestë në renditje, me 14 pikë të grumbulluara dhe Flamurtari që mbetet në garën për kupat e Europës, edhe pse pavarësisht pritshmërive të fillimit të sezonit, vlonjatët duken ende larg pretendentëve për titullin kampion.

Megjithatë, administratori i klubit kuqezi, Sinan Idrizi i ka dhënë “garanci” trajnerit Ilir Daja, duke lënë të kuptohet se drejtuesi i stolit do të ketë të gjithë kohën e nevojshme për të ndërtuar një projekt fitues. Këtë kreu i Flamurtarit e konfirmoi në deklaratën e dhënë për “Proçesin Sportiv”.

“Nuk mund të them çfarë do të bëjmë në aspektin sportiv. Këtë vit do të kolaudohemi me trajnerin Daja dhe të shpresojmë se nuk do të kemi fanfarat e sezonit të kaluar. Fituam me Tiranën, në këndvështrimin tim si tifoz, pa e merituar. Kemi ende shumë për të bërë, pavarësisht pompozitetit, pasi nuk duhet harruar që jemi me gropë në gjoks. Nevojitet kohë, por koha nuk varet nga unë”.

Idrizi foli edhe për spekulimet e detyrimeve të prapambetura ndaj ish-trajnerit Levi, e cila u hodh poshtë gjatë fundjavës nga klubi, me publikimin e dokumentit të FIFA-s, që konfirmonte shlyerjen e detyrimeve. Idrizi nuk e fshehu zemërimin për këto zëra, që e destabilizojnë ambientin rreth ekipit.

Ai tha: “Realisht nuk e kuptoj nga doli ajo histori. E kam thënë gjithmonë, nëse keni kureshtje për pagesat e Flamurtarit, ejani me mua në bankë, të konfirmoni pagesat. E kam thënë këtë disa herë, madje ju sfidoj! Flamurtari paguan në një vit, aq sa të gjithë të tjerët paguajnë së bashku. Madje, tërhiqem nëse ndonjë klub paguan në 5 vjet aq sa paguajmë ne. Atë që unë e paguaj në shtet, të tjerët e paguajnë nën rrogoz”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *