Dëmtimi dhe Partizani, Muzaka: Ata jo si Skënderbeu, ne jemi mësuar me kreun

Fitorja e vuajtur ndaj Kamzës është shoqëruar edhe me një lajm jo të mirë për Skënderbeun. Gjergji Muzaka u dëmtua prej mesit të pjesës së parë të lojës, duke u zëvendësuar menjëherë. Për “Zona Gol” në “SuperSport”, mesfushori foli rreth problemit fizik, me shpresën se do të jetë në fushë të premten ndaj Partizanit.

“U zëvendësova në minutën e 27-të, kisha një kontraktim në pjesën e pasme të kofshës. Shkalla e dëmtimit mbetet për tu parë në ditët në vazhdim, shpresoj të jetë diçka e lehtë dhe të jem në fushë të premten ndaj Partizanit”, deklaroi mesfushori 34-vjeçar.

Me mbylljen e fazës së parë, Muzaka foli edhe për rivalitetin në kampionat dhe garën për titullin. Sipas tij, gjatë këtij sezoni Skënderbeu e ka patur më të lehtë me kundërshtarët direkt, sesa me skuadrat me profil më të ulët dhe që nuk kanë objektiva drejt vendeve të para. Në fund, nuk mund të mungonte as sfida ndaj Partizanit, skuadra ku është rritur, një rival direkt për titullin dhe kundërshtari i radhës në fushë.

“Kampionati është më i rivalizuar se çdo vit tjetër, pavarësisht se jemi mësuar të jemi në këto pozita në tetë vitet e fundit. Rivalët direkt? Vështirësitë më të mëdha nuk i kemi patur me kundërshtarët që kemi në renditje, por me ekipet që ndodhen shumë më poshtë nesh. Jemi të kënaqur me ecurinë gjatë fazës së parë, edhe pse kemi bërë hapa fals. Por, paraqitjet e mira dhe rezultateve pozitive me rivalët, kjo na jep shpresa për tre fazat e mbetura të kampionatit. Rivalët tanë që janë në vend të parë nuk janë mësuar dhe duhet parë nëse do të jetë në gjendje që ta mbajë këtë pozicion deri në fund. Në anën tjetër, ne jemi mësuar me këtë pozicion”.

“Absolutisht që nuk firmos për barazim. Do të shkojmë si në çdo ndeshje për të fituar. Pavarësisht kundërshtarit që kemi përballë. Për ne nuk ka rëndësi nëse luajmë ndaj vendit të parë apo vendit të fundit. Ndaj rivalëve kemi fituar lehtësisht deri më tani dhe na lind e drejta të pretendojmë të marrim maksimumin. Më pas, rezultatin do ta vendosë fusha, ku do të fitojë ekipi që do ta meritojë më tepër”.

Muzaka komentoi edhe lajmet rreth bojkotit të futbollistëve për pagat, vetëm pak ditë përpara ndeshjes me Kamzën: “Ky ka qenë viti më korrekt nga presidenca, përsa i takon anës financiare me lojtarët. Po diskutohet për diçka që është folur vetëm në media, ndërsa nga klubi nuk ka folur askush për bojkot apo afate. Çfarë ka ndodhur është ndërmjet lojtarëve dhe klubit, e cila nuk ka ndikuar në ecurinë dhe rezultatet e skuadrës”.

“Vjet gjatë kampionatit erdhi vendimi i UEFA-s dhe jo vetëm që nuk ndikoi, por patëm edhe rezultate pozitive. Fituam kampionatin dhe Kupën, duke bërë një prej sezoneve më të mira të tetë viteve të fundit. Ky grup vazhdon të jetë i tillë, pavarësisht problemeve anësore që mund të ndodhin në skuadër, kur vjen dita e ndeshjes të gjithë janë të përqendruar për të vazhduar këtë lloj ecurie. Ky është një prej viteve, kur presidenca ka dhënë garancinë më të madhe financiare prej periudhës kur ka marrë drejtimin e klubit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *