Mançester Siti mori dje një fitore bindëse 5-0, ndaj Bërnlejt në shtëpi. Një fitore që vijon t’i mbajë “the citizens” në vendin e parë me pikë të barabarta me Liverpulin. Gjithsesi, në qoftë se paraqitjet e Sitit priteshin deri diku, një ekip që vazhdon të surprizojë është pikërisht Bornmuth.
Klubi i krijuar plot 119 vite më parë, u ngjit për herë të parë në histori në elitën e futbollit anglez, pikërisht tre vite më parë. Këtë sezon po surprizon jo pak, teksa e sheh veten në vendin e gjashtë me 17 pikë. Bornmuth gjithashtu njihet si një ekip që ka investuar rregullisht në lojtarët e rinj dhe ka paguar shuma jo të vogla.
Nathan Ake është një nga shembujt. Holandezi është blerja e dytë më e shtrenjtë në historinë e klubit, ku vitin e kaluar u ble për 20 milionë sterlina nga Çelsi. Paraqitjet e mbrojtësit kanë qenë në rritje të vazhdueshme, teksa po grumbullohet rregullisht tashmë në kombëtaren e Holandës. Shumë klube të mëdha janë vënë në lëvizje për 23-vjeçarin, ku siç raportojnë mediat angleze, Mançester Siti duket se po mendon seriozisht për blerjen e Ake.
Guardiola njihet si një teknik, i cili që kur ka ardhur te Siti ka shpenzuar jashtëzakonisht shumë për repartin difensiv dhe duket se së fundmi është bindur nga aftësitë e mbrojtësit për ta pasur sa më parë në ekipin tij. Siç thuhet Mançester Siti ka bërë gati ofertën prej 40 milionë sterlinash që në merkaton e janarit Ake të mund të bëhet lojtar i tyre. Nathan Ake mund të luajë disa pozicione, teksa është aktivizuar si mbrojtës i majtë, qendërmbrojtës, por edhe si mesfushor shkatërrues.