Dikur konsiderohej si një lojtar me shumë potencial dhe të ardhme të madhe në futboll. Shpërtheu me Lids Junajtid, në kohërat e arta të klubit dhe në vitin 2004 u transferua për 7 milionë sterlina në “Old Traford” te Mançester Junajtid, që në atë kohë ajo shifër konsiderohej një investim i rëndësishëm për klubin.
Bëhet fjalë pikërisht për anglezin, Alan Smith. Ndoshta të gjithë e kujtojnë “biondin” 23-vjeçar që kërkoi të bënte hapin e madh në karrierë, duke u bërë një nga idhujt e tifozëve në Mançester, por që dëmtimet e shumta si dhe ekipi që Junajtid kishte në atë kohë nuk e lejuan anglezin të hidhte hapin e madh.
Sot, Alan Smith është në moshën 37-vjeçare dhe vitin e shkuar u tërhoq përfundimisht nga futbolli i luajtur, teksa aktivizohej te Nots Kaunti. Pas tërheqjes nga futbolli, shumica e lojtarëve ëndërrojnë të bëhen trajnerë të suksesshëm, por anglezi pavarësisht se ka ndjekur rrugën e trajnimit, është përqendruar në një sport tjetër. Smith po shijon jetesën e re në Florida dhe momentalisht është trajner sërfi për të rinjtë që praktikojnë këtë sport. Një zgjedhje disi e çuditshme nga ish-futbollisti i Mançester Junajtid.