Humbja e parë në kampionat ka dëshpëruar shumë mbështetësit e Tomorit, edhe për faktin se kjo humbje ka qenë mëse e evitueshme, për vetë mënyrën se si është ndëshkuar skuadra në fund të takimit. Tashmë duket qartë se stafi teknik është shumë i kënaqur me ndërprerjen e kampionatit, sepse skuadra do të ketë më shumë kohë për tu stërvitur për ndeshjen e radhës ndaj Turbinës në shtëpi.
Për situatën ku ndodhet skuadra dhe punën që i pret futbollistët gjatë periudhës dy javore, është shprehur edhe tekniku i Tomorit Bledar Devolli: ” Vetë mënyra se si kemi pësuar humbjen në fund të takimit në Rrogozhinë të bën me të vërtetë që të ndihesh keq dhe mendoj se e meritonim plotësisht një barazim në atë transfertë, sepse kemi shënuar dy gola ndaj një skuadre cilësore dhe kjo nuk është pak. Tani mendoj se ndërprerja e kampionatit do të na ndihmojë shumë që të kalojmë këtë situatë, dhe besoj se skuadra do kuruar mbi të gjitha në aspektin psikologjik, dhe për këtë na ndihmon edhe kalendari në ndeshjen e radhës ndaj Turbinës të cilën do ta fitojmë me çdo kusht”.
DESHMITARËT E JEHOVAIT MARRIN STADIUMIN – Në stadiumin “Tomori” prej disa vitesh zhvillon aktivitetet zyrtare edhe shoqata e Dëshmitarëve të Jehovait, që mbi bazën e një marrëveshje dhe pagese me klubin beratas zhvillon gjatë fundjavave aktivitetin e tyre zyrtar, siç ka ndodhur edhe fundjavën e kaluar. Kjo ka bërë që të spostohej për ditën e hënë ndeshja zyrtare për U 19 në Superligë Tomori-Besa, por edhe vetë skuadra e Tomorit për të rritur ka bërë pushim ditën e hënë, pasi në orarin e stërvitjes është zhvilluar ndeshja e të rinjve.
Edi Spahiu