Gentian Selmani sfidoi dje si kapiteni i Laçit, Tiranën e Albi Dokës, por vetëm pak orë më vonë janë takuar sërish së bashku, pasi do të japin kontributin e tyre për Shpresat e Shqipërisë. Nga rivalë në një ndeshje mjaft të tensionuar, të dy së bashku janë shfaqur sot në një konferencë për shtyp përkrah njëri-tjetrit. Si portieri kurbinas ashtu dhe mbrojtësi bardheblu janë dy nga lojatrët më të rëndësishëm të 21-vjeçarëve të Alban Bushit.
Të dy lojtarët e Superiores janë besimplotë se do të bëjnë mirë ndaj Spanjës këtë të enjte në kryeqytet dhe Estonisë pak ditë më vonë në transfertë. Fillimisht ishte Doka, i cili tregoi se të gjithë e dinë forcën e spanjollëve, por ai dhe skuadra do të bëjnë më të mirën e tyre: “Përballë në këto dy ndeshje të fundit kemi Spanjën dhe Estoninë. Nisim me një kundërshtar shumë të fortë, por futemi në fushë pa frikë. Tashmë potencialet e një skuadre si Spanja njihen, por ne do të bëjmë më të mirën tone, duke dhënë më shumë se maksimumin në fushë. Kërkojmë që të bëjmë një mbyllje sa më pozitive të kompeticionin në këto eliminatore. Mendoj se kemi bërë ndeshje të mira dhe mbase me pak kujdes mund të kishim më shumë pikë tani, por jemi ndëshkuar nga gabimet tona. Sidoqoftë kemi bërë lojën tonë dhe kemi pasur shanset tona. Edhe me Spanjën e Estoninë do të japim më të mirën tonë”
Më pas ishte radha e kapitenit Selmani që beson se nëse ai dhe shokët e skuadrës do të japin më të mirën nga vetja mund të marrin dhe një rezultat pozitiv: “Edhe pse jemi jashtë objektivit për kualifikim tashmë, vlerësojmë maksimalisht këto dy ndeshje. Jemi një skuadër që gjatë ndeshjeve në grup kemi dhuruar emocione, por në momente të ndryshme na ka munguar edhe përqendrimi deri në fund të ndeshjes për të arritur në rezultatin pozitiv. Spanja është shumë e fortë, por ne do të futemi në fushë pa këtë ndrojë, por duke dhënë 200 për qind të mundësive tona, pse jo për të arritur edhe një rezultat pozitiv”.