Një yll i sallave të gjykatave, në ndihmë të një ylli të fushave të futbollit. Kristiano Ronaldo ka zgjedhur avokatin e personazheve “Vip”, një prej më të famshëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për t’u mbrojtur nga akuzat për dhunë seksuale.
CR7 iu drejtua Devid Çesnof, penalistit nga Las Vegasi, që në karrierë ka mbrojtur mes të tjerëve edhe emra si Paris Hilton, Majk Tajson, Shakill O’Nill, Andre Agasi, Leonardo DiKaprio, Bruno Mars dhe që mes të tjerëve ka mbrojtur edhe interesat e familjes së Majkëll Xhekson.
Kristiano Ronaldo vendosi të kontaktonte një prej avokatëve më të mirë të Amerikës, pasi javën e kaluar revista gjermane “Der Spiegel” kishte publikuar dëshminë e Kethrin Majorga, modeles që akuzon se ylli portugez e ka përdhunuar në vitin 2009, në një hotel në Las Vegas, aty ku lojtari ishte me pushime përpara transferimit nga Mançester Junajtid te Reali i Madridit.
Ish-modelja tregoi se kishte pranuar 375 mijë dollarë, nga marrëveshja që e ndalonte të fliste publikisht për atë çështje. Por, me mbështetjen e lëvizjes #MeToo (e cila denoncon dhunën seksuale nga njerëz të fuqishëm nëpër botë), ish-modelja kërkoi dhe fitoi të drejtën e rihapjes së çështjes. Avokati i Majorgas po tenton të realizojë anulimin e marrëveshjes së mëparshme, pasi sipas tij në momentin e nënshkrimit, vajza nuk ishte në kushtet e duhura psikologjike për të marrë vendime.
Nga ana e tij, Kristiano Ronaldo e ka cilësuar “lajm fals”, ndërsa ka reaguar vazhdimisht në faqet e tij zyrtare, duke hedhur poshtë çdo akuzë. Pas video-mesazhit në rrjetet sociale, portugezi ka publikuar edhe dy mesazhe në “Twitter”, duke mohuar gjithçka që thuhet në adresë të tij: “Përdhunimi është një krim i tmerrshëm dhe që shkon kundër të gjitha parimeve të mia. E kam ndërgjegjen të pastër dhe do të pres me qetësi rezultatet e hetimeve”.
I firmly deny the accusations being issued against me. Rape is an abominable crime that goes against everything that I am and believe in. Keen as I may be to clear my name, I refuse to feed the media spectacle created by people seeking to promote themselves at my expense.
— Cristiano Ronaldo (@Cristiano) October 3, 2018