Shqipëria po bëhet gati për ndeshjet kualifikuese të Europianit të 19-vjeçarëve dhe sot në konferencë kanë dalë dy mbrojtës, Enes Isufi dhe Marsel Ismajlgeci. I pari, i cili është pjesë e Skënderbeut, është shprehur se pret që kombëtarja jonë të paraqitet mirë në këto kualifikuese.
“Kemi disa ditë që po stërvitemi, shokët e skuadrës janë gati. Të gjithë mezi i kemi pritur këto ndeshje dhe në çdo seancë stërvitore po japim 100 % nga vetja, në mënyrë që në këto ndeshje eliminatore të dalim sa më mirë. Shpresojmë shumë të dalim të parët në grup”.
“Ende nuk jemi grupi i plotë, pasi presim edhe disa shokë të tjerë që t’i bashkohen skuadrës përfaqësuese. Sa i përket kundërshtarëve, ne e dimë që ato janë ekipe të forta. Por ne kemi objektivat tona. Kemi disa grumbullime me të njëjtin grup shokësh dhe kemi ndërtuar marrëdhënie shumë të mira”, u shpreh qendërmbrojtësi shkodran, Enes Isufi.
Ismajlgeci, i riu i krahut të majtë të mbrojtjes, i cili është pjesë e Tiranës, deklaroi: “Grumbullimi po shkon shumë mirë, jemi stërvitur fort dhe të gjithë po japim maksimumin. Shpresoj që do të ecim mirë. Në fakt u bënë disa grumbullime që jemi të gjithë së bashku dhe mendoj se jemi përshtatur me lojën e njëri-tjetrit. Gjatë gjithë kohës rrimë bashkë, jemi të afërt si në fushë dhe jashtë saj”.
Norvegjia, Sllovakia dhe Ukraina janë skuadra që do të garojnë me Shqipërinë U19 në grupin 8 të kualifikueseve të Europianit. Në “Niko Dovana” dhe në Kamzë do të zhvillohen ndeshjen në periudhën 10-16 tetor.