Nuk ka eksperiencë si trajner, por si lojtar në Turqi ka bërë mirë. Flasim për Umit Karan, trajnerin e ti të Shkupit. Si futbollist ka provuar të luajë edhe për kombëtarën e vendit të tij, ndërkohë që tanimë nis një eksperiencë të re si trajner.
Shkupi e ka prezantuar sot 41-vjeçarin, i cili prej disa vitesh e ka lënë futbollin e luajtur. Në Turqi ai ka arritur të fitojë titullin tre herë më fanellën e Gallatasarajit, ndërkohë që ka marrë edhe një Superkupë me këtë klub.
Me gjigantët turq numëron 170 ndeshje dhe 72 gola. Gençlerberligi, Ankaraspor dhe Erkiserispor janë klubet e tjera me të cilat është aktivizuar Karan si lojtar. Tanimë pritet shumë prej tij si trajner. Te Shkupi ai zëvendëson turkun Hajat Sojdash.
Ky i fundit e drejtoi Shkupin në pesë ndeshje dhe katër humbjet e pësuara bënë që të ndryshonte sërish trajneri. Në fillim te sezonit ishte në krye të ekipit Zekerija Ramadani, i cili tani drejton në Kosovë Feronikelin kryesues.
Shkupi gjithashtu ka zëvendësuar edhe drejtorin e përgjithshëm Shefshet Demiri. Në vend të tij është emëruar Tufan Tash. Të shtunën Karan do të debutojë në një ndeshje të vështirë kundër Rabotniçkit.