Çelsi dhe Mauricio Sarri vijojnë formën e mirë në këtë fillim sezoni. Blutë e Londrës ndodhen në vendin e tretë në Premier Ligë, me vetëm dy pikë më pak se kryesuesit e Sitit dhe Liverpul. Përveçse trajnerit italian që ka sjellë ide të reja në skuadër, meritë për formën e mirë të bluve, ka dhe ylli belg Eden Hazard.
Merkaton e verës, Hazard u përfol shumë për një kalim te Real Madrid, pasi presidenti Florentino Perez e shihte belgun si pasardhës të Kristiano Ronaldos në “Bernabeu”, por mesfushori qëndroi në Londër. 27-vjeçari është përshtatur mjaft mirë me filozofinë e trajnerit të ri, dhe tani po përflitet për rinovimin e kontratës mes tij dhe Çelsit.
Sipas asaj që konfirmon “The Telegraph”, ylli i skuadrës londineze duket se për rinovimin e kontratës ka një kusht. Eden Hazard kërkon që të emërohet kapiten i Çelsit. Shiriti i kapitenit do t’i jepte dhe më shumë përgjegjësi belgut, i cili duket se me ardhjen e Sarrit ka ndryshuar totalisht dhe duket se e sheh të largët ditën që mund të largohet nga “Stamford Bridge”.