Divorci mes Ze Marisë dhe Tiranës duket se është i pashmangshëm. Tekniku brazilian është paraqitur mjaft dobët deri më tani, pasi skuadra e tij ka marrë vetëm 5 pikë në 6 javë dhe mbi të gjitha ka humbur në derbin e parë me Partizanin. Pikërisht ndeshja me “demat” e ka mbushur kupën dhe largimi tani është i pashmangshëm, por ka gjithnjë një por.
Si çdo i huaj që vjen në Shqipëri kërkon një kontratë të rregullt, ku të parashikohen të gjitha detajet, madje dhe një dëmshpërblim i majm në rast shkarkimi. Ze Maria nuk pranon që të japë dorëheqje, ndërsa klubit nuk ja mban xhepi që të paguajë shifrën që parashikohet në kontratë. Ze Maria ka kontratë deri në fund të këtij edicioni dhe nëse klubi e largon është i detyruar që ta paguajë plot 56 mijë euro.
45-vjeçari ka nënshkruar një kontratë ku përfiton 7 mijë euro në muaj dhe praktikisht bardheblutë duhet ta paguajnë deri në qindarkën e fundit dhe nëse e largojnë. Palët po negociojnë që ta gjejnë një shteg që të arrijnë një konsensus, por deri më tani ka qenë e vështirë. Një situatë aspak e mirë dhe Tirana duhet të mendojë shpejt, pasi takimi i radhës është të mërkurën dhe nuk ka kohë për t’u shpërqendruar.