Juventus siguroi një fitore të madhe kundër Napolit, duke arritur fitoren e shtatë në kaq ndeshje në kampionat. Duke i shtuar dhe fitoren përballë Valencias në Champions, bardhezinjtë ngjiten në kuotën e tetë fitoreve rresht në këtë sezon.
Një nisje të tillë Juventus nuk e bënte që nga sezoni 1930-1931, pra 88 vite më parë. Ishte Juventusi i Edoardo Anjelit, babai i Xhani Anjelit, dhe trajner i ekipit ishte Karlo Karkano. Ylli i atyre kohëve nuk ishte portugez, por me origjinë argjentinase. Quhej Raimondo Orsi, i njohur ndryshe si Raimundo dhe më vonë natyralizohej si italian.
Ai Juventus regjistronte tetë fitore rresht në kampionat dhe rekordi ndalej nga Napoli, që fitonte në Torino përballë bardhezinjve me rezultatin 1-3, me 23 nëntor të vitit 1930. Pikërisht kundër Napolit, Alegri barazonte rekordin e Karkanos 88 vite më vonë. Seria fantastike e kampionëve të Italisë mund të vazhdojë, duke llogaritur ndeshjet e ardhshme.
Djemtë e Alegrit do të përballen me Jang Bojs në Champions, Udinezen në transfertë dhe Xhenoan në shtëpi. Më pas dy sfidat me Mançester Junajtid dhe mes tyre ndeshjet me Empolin dhe Kaljarin në kampionat. Një rekord që mund të vazhdojë të përmirësohet me synimin për të arritur titullin e tetë rresht në kampionat dhe ëndrrën për të fituar Champions Ligën e shumë dëshiruar.