Duhet të kthehemi katër vite më parë, pra në 2014 për të parë një Barcelonë, e cila numëron 3 ndeshje pa fitore në kampionat. Ekipi katalanas është në krizë të plotë, teksa nuk arrin të shkojë më shumë se një barazim, brenda në “Camp Nou” përballë Atletik Bilbaos.
Pas barazimit ndaj Gironës 2-2 dhe humbjes befasuese 2-1 në fushën e Leganes, tani vjen një tjetër zhgënjim për Barçën, e cila duket se ka harruar të fitojë. Në fakt që në daljen e formacioneve kishte pikëpyetje në kampin katalanas, kur u pa që Lionel Mesi çuditërisht për zgjedhje teknike sipas stafit të ekipit, nuk ishte pjesë e formacionit titullar. Në sulm ishte treshja Dembele-Suarez-Kutinjo.
Një ndeshje jo e lehtë për Barcelonën, e cila ndërlikoi gjithçka kur në minutën e 41-të, pas një gabimi në vendosje u ndëshkuan nga De Markos. Pjesën e dytë kampionët në fuqi të Spanjës, pavarësisht presionit të ushtruar dhe rasteve, arritën vetëm në minutën e 84 të barazojnë shifrat me Munir El Hadadi. Ky i fundit erdhi nga stoli, së bashku me Mesin dhe Buskets.
Stoli i Valverdes ka filluar të dridhet tashmë dhe lënia e Mesit në stol i lëkund edhe më shumë pozitat e teknikut spanjoll. Ndërkohë Suarez pas ndeshjes foli për mediat dhe deklaroi se Barça nuk duhet të jetë e varur nga Lionel Mesi. Uruguajani është shfaqur mjaft i tensionuar pas ndeshjes, teksa gjendja në Katalonjë nuk duket aspak e mirë.