Xhoi Barton e ka mbyllur me futbollin e luajtur, por nuk përton kurrë të thotë mendimin e tij, pavarësisht polemika të shumta. Ish-mesfushori i talentuar, i famshëm për karakterin e tij të vështirë dhe dënimet e shumta gjatë karrierës, ka sulmuar ashpër brazilianin Nejmar në një prononcim për “L’Equipe”.
Pak a shumë siç bënte në fushën e blertë, por kësaj here askush nuk mund ta skualifikojë më. Barton e krahason sulmuesin e PSG me Kim Kardashian si dhe nuk i pëlqen ideja e ekipit francez, që ka krijuar linjën e bashkëpunimit me legjendën e basketbollit, Majkëll Xhordan, për uniformat e reja të ekipit.
“Djali im gjashtë-vjeçar, kur thotë që dëshiron të bëhet futbollisti më i mirë në botë, flet për Ronaldon, Mesin, Salah dhe jo Nejmarin. Në shtëpinë time nuk përmendet kurrë emri i tij. Mendoj që Nejmar është Kim Kardashian i futbollit. Sigurisht që nuk është më i miri në botë dhe diçka e tillë u pa në Botërorin e Rusisë. Ai nuk është në nivelin e Ronaldos dhe Mesit, madje ka dhe lojtarë të tjerë më të mirë se ai. Më shumë sesa një fenomen i futbollit, ai është një fenomen i publicitetit, njësoj si Kardashian.
Kur shoh PSG me uniforma të nënshkruara nga Majkëll Xhordan, mendoj ‘djema jeni seriozë? Po luajmë basketboll, apo jeni një skuadër futbolli?’ E gjitha kjo më duket e çuditshme. Apo jam gabim?”, përfundon 36-vjeçari anglez.